Rusia është vendi i parë në botë që miratoi një vaksinë kundër COVID-19. Vaksina e quajtur “Sputnik V” u miratua në një afat të shkurtër kohor dhe kjo ka sjellë skepticizëm nga ana e komunitetit shkencor mjekësor për sigurinë e vaksinës.
Vetë presidenti rus, Vladimir Putin doli në një deklaratë ku garantoi sigurinë e vaksinës duke thënë se një nga vajzat e tij e kishte marrë atë.
Tashmë, kreu i Kremlinit ka bërë një tjetër lëvizje që synon promovimin e vaksinës ruse.
Presidenti i Rusisë i ka ofruar falas stafit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) një dozë nga “Sputnik V”.
Putin nënvizoi gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se Rusia është vendi i parë që ka krijuar një vaksinë të sigurt dhe efektive për Covid-19, sipas “Russia Today”.
Ai theksoi se oferta ishte e vlefshme për çdo punonjës të OKB-së që ka dëshirë të vaksinohet.
OKB-ja e falenderoi Putinin për “ofertën bujare”, duke theksuar se do ta vlerësojë këtë ofertë në një moment tjetër./ Opinion.al