Aktualitet

Vakancat/ Kim dhe Soreca: Gjykata e Lartë të arrijë sa më shpejt kuorumin


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:31 - 22/01/21 |
Doriana Çepunaj

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, kanë zhvilluar këtë të premte një takim me kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ervin Pupe.

Përmes një postimi në “Twitter”, diplomatja amerikane shprehet se tashmë ka ardhur koha që të arrihet kuorumi dhe në Gjykatën e Lartë, për plotësimin e vendeve të tjera në Kushtetuese.

“Duke punuar së bashku KED, Presidenca dhe Parlamenti arritën të sjellin një Gjykatë Kushtetuese funksionale në fund të vitit 2020. Tashmë është kohë për Gjykatën e Lartë që të arrijë kuorumin që Gjykata Kushtetuese të plotësohet dhe vetë Gjykata e Lartë të bëhet funksionale, hap pas hapi”, shkruan Yuri Kim.

Ndërsa Soreca shkruan se i konfirmoi kreut të KED mbështetjen e Bashkimit Europian, teksa vijon deklaratën duke thënë se është e rëndësishme që KED të procedojë me vakancat e mbetura në Gjykatën Kushtetuese sapo Gjykata e Lartë t’i ketë hapur.

“Takova Kryetarin e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, z. Ervin Pupe, së bashku me ambasadoren e SHBA në Shqipëri. Unë e përgëzova Këshillin e ri, i urova sukses në punën e tyre dhe konfirmova mbështetjen e fortë të BE-së, përfshirë edhe ndihmën tonë teknike. Është e rëndësishme që sapo Gjykata e Lartë të ketë hapur vakancat e mbetura për Gjykatën Kushtetuese, KED do të jetë gati të procedojë, në mënyrë që të sigurojë funksionalitetin e plotë të GJK sa më shpejt të jetë e mundur në muajt e ardhshëm”, shkruan Soreca./Opinion.al

Pas