Një ushtar ukrainas është cilësuar si hero pasi hodhi veten në erë në një urë në Henichesk për të ndaluar që të kalonte një kolonë tankesh ruse.
Lajmi është shpërndarë në rrjetin social “Facebook” nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
“Në këtë ditë të vështirë për vendin tonë, kur populli ukrainas po zmbraps pushtuesit rusë në të gjitha drejtimet, një nga vendet më të vështira në hartën e Ukrainës ishte Isthmusi i Perekopit, ku një batalion i veçantë marinsash ishte një nga të parët që takoi armikun”, sipas deklaratës së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Për të ndaluar përparimin e kolonës së tankeve, u mor vendimi për të hedhur në erë urën Henichesk.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se Vitaliy Skakun, një inxhinier i batalionit doli vullnetar për të kryer këtë detyrë. Ai nuk pati kohë të largohej dhe ndërroi jetë aty.
“Shoku ynë vdiq. Vepra e tij heroike ngadalësoi ndjeshëm përparimin e armikut, gjë që i lejoi njësisë të ridislokohej dhe të organizonte mbrojtjen”, thuhet në deklaratë.