Ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të nxjerrë fituesin e lot 1 të tenderit tek Unaza e Re, PD ka dalë në konference duke dhënë emrin e fituesit. Sipas PD, “Edi Rama ka paracaktuar klientin e PPP-ve, “Gjoka Konstruksion”, si kompaninë fituese të ritenderimit tek Unaza e Re”.
Bëhet fjalë për ritenderimin, pasi tenderi i parë rezultoi i manipuluar. Kompania fantazmë “DH Albania” kishte fituar me dokumente false.
“Kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit. Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra”, tha Lealba Pelinku nga selia e PD-së.
“Partia Demokratike e ka shprehur qartë qëndrimin e saj: projekti korruptiv 20 milionë euro për kilometër duhet anulluar i gjithi. Prokuroria duhet të hetojë dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që herën e parë tentuan të vjedhin me mashtrim dhe kësaj here po tentojnë të vjedhin sërish me tender të paracaktuar”, vijoi ajo.