Kryeministri Edi Rama është shprehur se vendimi për uljen e çmimit të energjisë elektrike me 1 lekë për konsumatorët familjarë nuk është elektoral.
Rama theksoi, në konferencën për mediat, se nuk ka detyrimin për t’i mbushur mendjen askujt për këtë gjë, duke theksuar se “nuk më intereson me thënë të drejtën se çfarë thotë njëri dhe tjetri”.
“Tani nuk kam asnjë detyrim ti mbush mendjen askujt që e ka të mbushur mbrapsht.
Edhe as nuk më intereson me thënë të drejtën se çfarë thotë njëri dhe tjetri, e di shumë mirë se përveç faktit që jetojmë në demokraci dhe të gjithë lavdi zotit kanë të drejtën të thonë ça të duan, për çdo gjë që kam bërë dhe do të bëj, do të thonë kështu që s’më intereson se çfarë thonë.
Ajo që më intereson është se 1 mln konsumatorë, abonentë të energjisë elektrike do të paguajnë një çmim të ulët falë një suksesi kuptimplotë në një rrugë nga humnera drejt majës së Shqipërisë 2030. Thanë edhe që bonusi i pranverës është elektoral. Unë vetëm si qenie jam elektoral që kur dal nga shtëpia, për çdo gjë që bëj do të thonë, ajo që më intereson është që pensionistët do të marrin një bonus tjetër”,-tha kryeministri.