Gjermania është një nga shtete që po menaxhon mirë situatën e krijuar nga koronavirusi, ndërsa numri i të shëruarve është i lartë.
Ndërkohë, mësohet se shkalla e infeksioneve me koronavirus në këtë shtet ka pësuar rënie të ndjeshme, ku tashmë çdo pacient infekton mesatarisht më pak se një person tjetër, njoftoi agjencia qeveritare për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, Robert Koch.
Pasi i ashtuquajturi numri i riprodhimit të bjerë nën një, epidemia zakonisht zhduket ngadalë.
Sipas Institutit Robert Koch (RKI), aktualisht Gjermania është në 0,7. Kjo do të thotë se 10 pacientë me koronavirus do të infektojnë vetëm shtatë persona të tjerë, duke çuar në një rënie të numrit të infeksioneve të reja të përditshme.
Megjithatë, RKI paralajmëroi se numri i parashikuar i rasteve veçanërisht te personat mbi 80 vjeç po rritet fuqishëm, gjë që ndoshta do të rezultojë në një rritje më të madhe të numrit të rasteve që kanë nevojë të shtrohen në spital dhe në kujdesin internsiv. Deri më tani në Gjermani janë shënuar 4,093 viktima nga Covid-19 dhe janë infektuar 138,135 persona./ Opinion.al