Rusia i ka shtrirë sulmet në Ukrainë edhe kundër infrastrukturës civile. Në fillim të dimrit qindra mijëra vetë kanë mbetur pa drita dhe ngrohje. Reporteri i Deutsche Welles, Jan-Philipp Scholz takoi disa prej tyre.
Sapo ka filluar periudha më e bukur e vitit. Të paktën për Polinën dhe shoqet e saj. Lista e dëshirave për t’ia dërguar plakut të vitit të ri është përpiluar dhe tani madje fillon të bjerë edhe borë. Pothuajse të gjithë fëmijët e tjerë kur nisi lufta janë larguar nga fshati i largët që ndodhet në skajin verilindor të rajonit të Harkivit dhe shkolla ka kohë që është mbyllur. Prandaj bora e parë e vitit është një ndryshim i mirëpritur.
Frikë nga temperaturat në rënie
“Tani mund të luajmë me slitë dhe të bëjmë luftë me topa bore,” tregon Polina e entuziazmuar. Dhjetëvjeçarja e ka bërë bashkë me shoqet njeriun prej bore, të parin për këtë vit. Ato arritën madje të gjenin një karrotë për t’ia venë në vend të hundës. Dhe parashikimi i motit thotë, se njeriu prej bore nuk do të shkrijë shumë shpejt. Ditët e ardhshme temperaturat pritet të jenë minus 12 gradë celsius.
Pjesa më e madhe e të rriturve në rajon, nuk gëzohet nga parashikimi i motit. Përkundrazi, me rënien e temperaturave është rritur shqetësimi se nuk do jenë në gjendje të zgjohen mëngjesin e ardhshëm. “Ngrica është duke u bërë gjithnjë e më e madhe e nata duhet kaluar në errësirë. Nuk dua ta mendoj se ku jemi duke shkuar,” tregon Iryna. Ajo është pensioniste dhe jeton në periferi të qytezës Isjum, në lindje të Ukrainës, në një banesë parafabrikate nga koha e Bashkimit Sovjetik. Pallati gjashtëkatësh është goditur disa herë me artileri, gati të gjithë fqinjët e saj janë larguar. Iryna ka qendruar. “Ku të shkoj? Për të ikur duhet të paktën një makinë dhe disa kursime,” shpjegon pensionistja. “Pjesa më e madhe e të moshuarve të këtushëm nuk e kanë të lehtë të largohen. Përveç kësaj, nëse këtu nuk ndodhet më askush me siguri që do të vijnë plaçkitësit.”
Paratë e fundit që kishte, Iryna i investoi për të bërë dritare të reja, sepse të vjetrat u thyen nga presioni i shpërthimeve. Përveç kësaj ajo ka varur në dritare batanije të trasha, për të mos e lenë të ftohtit e madh të hyjë brenda. Nga sulmet e muajve të fundit u shkatërrua edhe ngrohja qendrore e bllokut me pallate. Gjatë vjeshtës, vullnetarë erdhën dhe i sollën Irynës një ngrohës elektrik për të kaluar muajt e dimrit. Ajo ia di atyre për faleminderit, megjithatë në shtëpinë e saj është shpesh ftohtë.
Ka javë që Rusia i ka shtrirë sulmet shumë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe ikja e dritave janë pjesë e ngjarjeve të ditës. “Sapo kaluam dy ditë pa drita,” thotë pensionistja. Në situata të tilla nuk mbetet gjë tjetër për të bërë po të vishesh trashë dhe të harxhosh rezervat e fundit të gazit për të zier çaj të ngrohtë.
Të moshuarit nuk largohen nga shtëpitë
Kudo përgjatë frontit, të moshuarit ndodhen në rrezik të madh nga rënia e temperaturave në javët e ardhshme. Edhe po të kenë familjarë të tjerë që jetojnë në rajonet ku nuk ka luftë ose jashtë vendit, shumë prej tyre nuk duan të largohen nga ambienti ku janë mësuar të jetojnë. E ëma e Oxana Melnyks-it, jetonte deri para pak ditësh në një fshat në anën tjetër të linjës së frontit, në ato pjesë të Ukrainës Lindore që është pushtuar nga rusët. Oxana u mundua muaj me radhë t’i mbushte mendjen që të ikte nga fshati. Ajo e paralajmëroi të ëmën për luftimet që ishin duke u bërë gjithnjë e më të ashpra dhe për dimrin që pritej të vinte. Por shtatëdhjetëvjeçarja ishte kokofortë. “Ajo kujtonte se do t’ia dilte disi të mbijetonte, se çdo gjë do të merrte fund në njëfarë mënyre,” tregon Oxana. “Por ne të gjithë e dimë, se nuk do marrë fund kaq lehtë.”
Më në fund ajo mori guximin dhe hipi në makinën lada, makinë që ka 40 vjet që e përdor. Së bashku me një të njohur ajo kaloi rrugët e shkatërruara të korridorit të vetëm që lidh territoret e kontrolluara nga ukrainasit dhe ato të pushtuara nga rusët. Kur mbërriti tek e ëma arriti ta bindë që të bënte gati valixhet. “Mbeta duke i shpjeguar se jeta e saj është në rrezik. Çfarë ka vlerë më të madhe se jeta? As banesa, as makina, as ndonjë gjë tjetër çfarë do që të jetë. Vetëm jeta ka vlerë në fund fare.”
Siguri në Saporishshja – dhe ngrohtësi
Gjatë rrugës gratë ngecën shumë herë në baltë, u ndalën në dhjetra postblloqe kontrolli ukrainas dhe rus dhe makina pati një dëmtim të motorit. Por në fund ato arritën të shkonin në një qendër humanitare në Saporishshja, në kryeqytetin e rajonit lindor të Ukrainës, të ngritur për të ndihmuar të larguarit nga territoret e pushtuara nga rusët.
Për gratë, kjo qendër është pika e parë ku u ndien të sigurta pas shumë ditësh, dhe vendi i parë ku mundën të ngrohen më në fund. Këtu në Saporishshja tregon Oxana, nuk donin ta besonin në fillim se Rusia e përdor dimrin me qëllim për të luftuar popullsinë civile. Por pikërisht kjo është duke ndodhur tani. “Unë i lutem Zotit që t’u japë një arsye që të ndalin,” psherëtin ajo. “Të largohen në paqe. Vetëm të largohen nga vendi ynë, që të mos vdesin më shumë njerëz.”
Gratë nuk e dinë çfarë do të ndodhë më tej me to. Në fillim duan të shkojnë në Odesa. Oxana ka atje një banesë. Atje nuk është siguri e madhe, sepse si shumë vende të tjera edhe Odesa është kthyer në objektiv të sulmeve ajrore. Por të paktën muajt e dimrit nuk janë aq të ftohta në qytetin port të Detit të Zi./ DW