Dëmtimi i digës Kakhovka ka çuar në përmbytjen e 29 fshatrave përgjatë lumit Dnipro. Për rrjedhojë, mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, teksa situata pritet të përkeqësohet në orët në vijim.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thotë se qindra mijëra njerëz kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrin për dëmtimin e digës. Zelensky e ka konsideruar si “ekocid”, nga ana tjetër, Vladimir Putin e quajti “sulm barbar”.
“Një nga katastrofat më të rëndësishme mjedisore në Evropë në dekadat e fundit”, është shprehur Zelensky.
“Katastrofë mjedisore dhe humanitare në shkallë të gjerë”, thotë Kremlini.
Zonat e prekura shtrihen nga Nova Kakhovka deri në afërsi të bregut të lumit Kosheva. Ukraina ka raportuar një gjendje të jashtëzakonshme, teksa mediat ruse raportojnë se disa persona janë të zhdukur.
Ditën e sotme, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka folur me homologët e tij si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi dhe bëri thirrje për një hetim të përbashkët për të përcaktuar shkakun e thyerjes së digës Kakhovka. Ai bëri me dije se Turqia mund të krijojë një komision ndërkombëtar për ta kryer këtë hetim në bashkëpunim me OKB-në.
Ndalur në aspektin ushtarak, forcat ukrainase pretendojnë se kanë avancuar në “seksione të ndryshme të drejtimit Bakhmut”, mirëpo Rusia tha se i ka mposhtur sulmet ukrainase pranë qytetit, për të cilin është luftuar për muaj të tërë.