Ukraina tha të premten se dronët e saj goditën një fabrikë avionësh luftarakë në rajonin e Moskës dhe një fabrikë për prodhimin e raketave në rajonin e Tulës, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarre në të dyja.
Ushtria ukrainase tha në Telegram se fabrika e aviacionit në qytetin Lukhovitsi, rreth 135 km në juglindje të Moskës, prodhonte avionë luftarakë MiG.
Fabrika tjetër është Byroja e Projektimit të Instrumenteve, e specializuar në prodhimin e raketave kundërajrore dhe sistemeve të kombinuara raketë-armë.
“Forcat e mbrojtjes po vazhdojnë t’i marrin të gjitha masat për ta minuar potencialin ushtarak dhe ekonomik të pushtuesve rusë dhe për ta detyruar Rusinë ta ndalë agresionin e saj të armatosur kundër Ukrainës”, tha ushtria ukrainase.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 155 dronë ukrainas u rrëzuan midis orës 23:00 të enjten dhe orës 07:00 të së premtes, përfshirë 11 që ia kishin mësyrë Moskës.