Prishtinë – Në një shkrim special për Shqipërinë UEFA ka analizuar edhe gjendjen e talentit kosovar Milot Rashica.
“Milot Rashica do të mbushë 20 vjeç më 28 qershor, faza e çerekfinaleve e Evropianit ku Shqipëria shpreson të jetë e pranishme. Mesfushori i Vitesses bëri debutimin e tij me kombëtaren e të rriturve të martën, por a është ai lojtari rreth së cilit do të ndërtohet e ardhmja e kuqezinjve? Nëse jo këtë verë, atëherë sigurisht në vitet pasues”, nënvizon UEFA.
Ajo shton se në repartin e avancuar, Cikalleshi duket se është preferenca kryesore pas 90 minutave të luajtura në Luksemburg.
Një pyetje UEFA e ngre edhe për repartin e mbrojtjes, duke u bazuar në dy golat e pësuar në Austri.
“Shqipëria duket e brishtë kur skuadra kundërshtare e vendos nën presion. Kontrolli i topit është një problem për këtë skuadër që mesatarisht gjatë eliminatoreve e ka pasur kontrollin e lojës në masën 45 %. Pasimet në total janë 1886, më pak se çdo finalist, por kjo edhe për faktin se Shqipëria bënte pjesë në një grup me 5 skuadra”, vë në dukje UEFA, transmeton Lajmi.net. (r.m.)