Një grua nga Zelanda e Re u arrestua ditën e sotme, pasi teksa po udhëtonte me autobus kishte futur një vajzë 2-vjeçare brenda një çante në bagazh.
Inspektori i Policisë, Simon Harrison tha se gruaja 27-vjeçare ishte akuzuar për keqtrajtim dhe neglizhencë ndaj një fëmije.
Ngjarja ndodhi në një stacion autobusësh në Kaiwaka, 100 km në veri të Auckland, pasi shoferi i autobusit u shqetësua për një çantë që lëvizte gjatë një ndalese të planifikuar.
“Kur shoferi hapi valixhen, zbuloi vajzën 2-vjeçare të bllokuar,” tha Harrison.
“Vajza e vogël u raportua se ishte shumë e nxehtë, por dukej e padëmtuar fizikisht.”
Bagazhet ishin ruajtur poshtë pasagjerëve të autobusit, në një ndarje të veçantë.
Harisson tha se vajza u dërgua në spital duke iu nënshtruar një vlerësimi të gjerë mjekësor.
Ndërkohë mësohet se është njoftuar edhe ministria e Zelandës së Re për Fëmijët.