Rajoni

Udhëheqja e dialogut me Serbinë, Thaçi dhe Hoti me qëndrime të ndryshme


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 10:41 - 11/06/20 |
Al Do

Përfaqësimi i Kosovës në dialogun me Serbinë lexohet ndryshe në Kushtetutë nga qeveria dhe presidenca. Kjo ishte një pikë e nxehtë mes qeverisë Kurti dhe presidentit Thaçi por mesa duket do të vijojë e tillë edhe nën qeverinë Hoti.

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se dialogu me Serbinë, do të udhëhiqet nga kryeministri i vendit.

“Dialogun e udhëheq kryeministri i Kosovës. Ka pasur diskutime nga më të ndryshmet, javët dhe muajt e fundit, unë nuk do të bëj kurrfarë gare me bartësit tjerë institucionalë, pasi që kompetencat e mia kushtetuese janë të qarta, përfshirë edhe kompetencat për dialog”, ka deklaruar Hoti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të enjten se ka theksuar se  dialogun Kosovë – Serbi do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitimë të Kosovës.

“Ne nuk jemi në garë me njëri-tjetrin, do të plotësojmë njëri-tjetrin. Ne edhe të bashkuar do të përballemi me vështirësi dhe pengesa të mjaftueshme. Presidenti i vendit e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, dhe gjithçka është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës, kompetencat janë të qarta. Në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë”, ka shtuar mes tjerash ai.

Lidhur me një vizitë të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të enjten se ende nuk ka një njoftim zyrtar .

I pyetur nga gazetarët nëse do ta takojë zotin Lajçak, presidenti Thaçi ka thënë se për Kosovën është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtarë, që merren çështjen e dialogut, të trajtojnë Kosovën si një vend të pavarur dhe sovran.

Sipas Thaçit, çdo qasje tjetër ndaj Kosovës është e dështuar.

“Nuk ka kohë tani për matje të pulseve apo për trajtime seminarike të çështjes së Kosovës për njohje reciproke Kosovë – Serbi, por është (v.j. koha) për vendimmarrje historike që sjell rezultate konkrete”, ka deklaruar Thaçi. /Opinion.al

Pas