-U tha në Opinion

“UÇK nuk ishte strukturë e organizuar, por reagim i popullit ndaj shtypjes serbe”


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 22:23 - 31/05/22 |
Opi Nion

Një dokumentar i transmetuar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut, i titulluar “Devijimi Special”, ekspertë kushtetues dhe gazetarë kanë komentuar përdorimin e doktrinës “Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët”, me të cilën Prokuroria Specialen në Hagë akuzon figurat e larta të UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ata thonë se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e strukturuar mirë, por një reagim i popullit ndaj shtypjes nga Serbia.

Sipas tyre, me një gjykim të drejtë, kjo akuzë do të duhej të hidhej poshtë.

“Aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale për një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale është një konstruksion i padrejtë dhe i paqëndrueshëm, për faktin se lufta e Kosovës nuk ka qenë luftë e një ushtrie të rregullt, një ushtrie të organizuar shtetërore, por ka qenë një luftë guerile, e vullnetarëve dhe se as që ka mundur të bëhet fjalë për fiksione të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale. Në fakt, Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale ka qenë gjenocidi i Serbisë ndaj Kosovës, ku edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është vërtetuar se ka qenë një Ndërmarrje e Përbashkët Shtetërore dhe krerët e shtetit serb janë dënuar….”, thotë Arsim Bajrami, profesor i së drejtës kushtetuese.

 Gazetari Blendi Fevziu, ndërkaq, shprehet se ideja për të krijuar një linjë komandimi të kriminalizuar të UÇK-së, sipas tij, është e gabuar dhe do të dështojë edhe juridikisht.

 “Nuk ka qenë UÇK-ja kaq strukturë e mirë-organizuar kur linja e komandimit funksiononte nga maja deri në bazën e piramidës. UÇK-ja ka qenë reagimi i një populli ndaj dhunës dhe ndaj shtypjes ndaj tij, ndaj krimeve ndaj tij, ka qenë një reagim i çdo zone. Më kujtohet në atë kohë, kam parë kam takuar me dhjetëra shqiptarë, që shkonin drejt Kosovës, që vinin dhe vishnin uniformën e UÇK-së, pa e ditur as kush ishte komandant dhe as kush ishte drejtues i UÇK-së. Ata shkonin në luftë për të luftuar për vendin e tyre, për të mbrojtur familjet e tyre, për të mbrojtur të afërmit e tyre. Kështu që, në këtë aspekt, ideja për të krijuar një linjë komandimi të kriminalizuar të UÇK-së, në gjykimin tim, është e gabuar dhe do të dështojë, do të dështojë edhe juridikisht”, deklaron Fevziu.

 Avokati Artan Qerkini, më tutje, duke folur në dokumentarin “Devijimi Special”, thotë se Prokurorisë së Gjykatës Speciale i konvenon përdorimi i termit “Ndërmarrje e Kriminale e Përbashkët”.

 “Nëse i shikojmë aktakuzat, sidomos ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria po mundohet që ta afirmojë këtë formë të përgjegjësisë penale dhe kjo i konvenon Prokurorisë, sepse është një përgjegjësi jashtëzakonisht e zgjeruar. Dhe, nëse e merr për bazë këtë formë të përgjegjësisë, ajo e ka shumë më lehtë që t’i ngarkojë me përgjegjësi penale të akuzuarit”, thotë Qerkini.

Për gazetarin Mero Baze, UÇK-ja nuk ishte organizatë e strukturuar mirë, e aq më tepër kriminale.

“E vërteta është se gjithë organizimi i UÇK-së nuk i përngjan as një organizate dhe as një gjëje kriminale… UÇK-ja nuk u krijua kurrë si një organizatë piramidale, që të kishte një komandant, të kishte një autoritet, dhe kjo nuk e bën atë organizatë të strukturuar, e aq më tepër kriminale, për shkak se ata ishin të gjithë njerëz që luftonin në shtëpitë e tyre. Dhe nuk mund të jetë kriminel një njeri që mbron shtëpinë e vet, e të jetë i pafajshëm ai që vjen ta vrasë te shtëpia e vet. UÇK-ja nuk ishte një organizatë që doli nga shtëpitë e Kosovës, doli nga kufijtë e Kosovës dhe shkoi luftoi diku tjetër. Ishin njerëz që u organizuan për vetëmbrojtjen e tyre”, thotë ai. / Opinion.al

Pas