Aktori i njohur hollivudian George Clooney ka reaguar ashpër ndaj Presidentit amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit kritikoi vendimin e Francës për t’i dhënë shtetësi franceze aktorit dhe familjes së tij.
Fituesi i çmimit Oscar, 64 vjeç, bashkë me bashkëshorten e tij Amal Alamuddin Clooney dhe dy fëmijët e tyre, u bënë zyrtarisht shtetasë francezë, pas disa vitesh jetese në jug të Francës.
Clooney ka vlerësuar ligjet franceze për privatësinë, të cilat, sipas tij, e kanë mbrojtur familjen nga ndërhyrjet e mediave ndërkombëtare, si edhe mundësinë për t’i rritur fëmijët larg Hollywood-it.
Presidenti Trump, administrata e të cilit ka mbështetur parti kundër emigracionit në Europë, shkroi në rrjetin e tij Truth Social se Franca ishte e lirë të “mirëpriste” yllin e filmit Ocean’s Eleven, i cili është mbështetës i hershëm i demokratëve dhe kritik i hapur i Trumpit.
“Lajm i mirë! George dhe Amal Clooney, dy nga parashikuesit politikë më të këqij të të gjitha kohërave, janë bërë zyrtarisht shtetas francezë, një vend që fatkeqësisht po përballet me probleme serioze kriminaliteti për shkak të menaxhimit katastrofik të emigracionit”, shkroi Trump.
Ai shtoi gjithashtu se Clooney kishte marrë më shumë vëmendje për politikën sesa për filmat e tij, të cilët i cilësoi si mediokër.
Në reagimin e tij për Hollywood Reporter, Clooney iu përgjigj me ironi: “Jam plotësisht dakord me presidentin aktual. Duhet ta bëjmë Amerikën sërish madhështore. Do të fillojmë në nëntor,” duke iu referuar zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit.
Vendimi për dhënien e shtetësisë Clooney-t vjen pak para hyrjes në fuqi të rregullave më të ashpra të emigracionit në Francë, që nga 1 janari, të cilat do të forcojnë kriteret gjuhësore për aplikantët.
Një zyrtare e qeverisë së presidentit Emmanuel Macron kritikoi gjithashtu këtë vendim, duke vënë në dukje se Clooney nuk flet mirë frëngjisht.
Megjithatë, ministri i Brendshëm Laurent Nunez dhe Ministria e Jashtme franceze e mbrojtën vendimin, duke theksuar se ai përmbush kriteret ligjore për natyralizim.
Sipas ligjit francez, shtetësia mund t’u jepet të huajve që kontribuojnë ndjeshëm në ndikimin ndërkombëtar dhe prestigjin kulturor të Francës.
Autoritetet theksuan se Clooney dhe bashkëshortja e tij, një avokate e njohur për të drejtat e njeriut, kontribuojnë në këtë drejtim.
Clooney pranoi se frëngjishtja e tij mbetet e dobët, pavarësisht kurseve të ndjekura, ndërsa Amal Clooney flet rrjedhshëm këtë gjuhë.
Aktori bleu pronën Domaine du Canadel pranë qytetit Brignoles në vitin 2021 dhe ka deklaruar se Franca është vendi ku familja e tij ndihet më e lumtur.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 48,800 persona fituan shtetësinë franceze me dekret gjatë vitit 2024.
Ndërkohë, Clooney nuk është i vetmi emër i njohur që kërkon pasaportë franceze.
Regjisori Jim Jarmusch njoftoi se ka aplikuar gjithashtu, duke thënë se dëshiron një vend ku mund të largohet nga Shtetet e Bashkuara.















