Kampionia e dyfishtë olimpike gjermane në biatlon, Laura Dahlmeier, ka humbur jetën në një aksident tragjik gjatë një ngjitjeje malore në Pakistan. Sipas menaxherit të saj dhe Konfederatës Gjermane të Sporteve Olimpike (DOSB), ajo u godit nga rënia e shkëmbinjve në malin Laila të vargmalit Karakoram.
Ngjarja ndodhi të hënën rreth mesditës, ndërsa ajo po ngjitej së bashku me partneren e saj, Marina Eva, e cila dërgoi sinjal alarmi pas incidentit. Për shkak të motit të keq dhe terrenit të vështirë, ekipet e shpëtimit nuk arritën të ndërhyjnë menjëherë.
Dahlmeier, e cila kishte lënë sportin në vitin 2019 në moshën 25-vjeçare, ishte e njohur për sukseset e saj të jashtëzakonshme, përfshirë dy medalje të arta në Lojërat Olimpike Dimërore 2018 dhe pesë medalje ari në një kampionat botëror.
Në një deklaratë prekëse, menaxheri i saj tha se Dahlmeier kishte lënë porosi të qarta që askush të mos rrezikonte jetën për ta shpëtuar apo për të rikuperuar trupin e saj në rast aksidenti.
DOSB dhe i gjithë sporti gjerman vajtojnë humbjen e Laura Dahlmeier”, tha Thomas Ëeikert, President i Konfederatës Gjermane të Sporteve Olimpike, në një deklaratë për CNN Sports.
“Jemi thellësisht të tronditur nga vdekja e papritur dhe shumë e hershme e këtij personi të mrekullueshëm. Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e saj dhe do të ofrojmë mbështetjen tonë kudo që të mundemi. Laura ishte një model dhe frymëzim për shumë prej nesh, brenda dhe jashtë sportit. Ajo gjithmonë kishte qëllime të qarta në mendje dhe i ndoqi ëndrrat e saj”, tha ai.