Automjeti me të cilën lëvize kryetari i Partisë Socialiste i njësisë administrative Kolsh në Lezhë, Andi Marku është përfshirë mëngjesin e sotëm nga flakët.
Marku është shprehur se automjeti nuk ishte në pronësinë e tij dhe se mjeti kishte shfaqur problem prej ditësh.
“Automjeti nuk është në pronësinë time. Atë e kisha në përdorim. Kishte shfaqur probleme prej ditësh. Dyshoj se djegia e tij mund të jetë si pasojë e një shkëndije elektrike” tha Marku.
Ngjarja në fjalë ndodhi shumë pranë Prefekturës së Lezhës, ku ishte parkuar mjeti.
Policia dhe prokuroria po hetojnë edhe pse Marku ka dhënë se ngjarja është aksidentale.
Nga ana tjetër, emri i Markut nuk është i panjohur për policinë, pasi ai është arrestuar më 1 qershor të vitit 2010, gjatë kohës që ai drejtonte komunën e Kolshit, nën akuzën e “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”.
Ish-kryekomunari i Kolshit u arrestua për llogari të sektorit të Anti-krimit Ekonomik në këtë drejtori, pasi dyshohej për disa abuzime në kryerjen e detyrës, për të cilat ka qenë i penalizuar më parë nga strukturat shtetërore në lidhje me deklarimin e pasurisë.
Marku i kishte marrë një shtetasi, banor i komunës Kolsh, një shumë prej 1 milion lekë në këmbim të dhënies së një leje ndërtimi të rrethimit të pronës së tij.