Ish-ylli i Manchester City dhe Real Madrid, Robinho, ka dhënë intervistën e tij të parë nga burgu, prej kohës filloi dënimin në Brazil për përdhunimin e një shqiptareje në Itali, gjatë kohës kur luante me Milanin. 41-vjeçari, baba i tre fëmijëve, ndodhet në burgun Dr. José Augusto Cesar Salgado në shtetin Sao Paulo që nga 21 marsi 2024, ku po vuan një dënim prej nëntë vitesh.
Në një video të publikuar nga një organizatë jofitimprurëse që ndihmon në rehabilitimin e të dënuarve, Robinho shfaqet i qetë dhe në formë të mirë fizike. Ai deklaroi se trajtohet si çdo i burgosur tjetër dhe nuk ka asnjë privilegj të veçantë.

“Vaktet dhe oraret e gjumit i kam njësoj si të gjithë të tjerët. Nuk kam marrë kurrë trajtim ndryshe apo ushqim të veçantë. Kur është koha për punë, bëj gjithçka që bëjnë edhe të tjerët. Në fundjavë, kur nuk ka punë, luajmë futboll”.
Ai shtoi se vizitat e familjarëve bëhen të shtunave ose të dielave dhe se gruaja e tij vjen gjithmonë me fëmijët. “Trajtimi është i njëjtë për të gjithë. Nuk kam pasur kurrë ndonjë privilegj”, theksoi ish-futbollisti.
Robinho mohoi gjithashtu pretendimet se ai gëzon ndonjë rol drejtues në burg apo vuan nga probleme psikologjike: “Këtu, rojet janë në krye, ne vetëm i bindemi. Nuk jam ndryshe pse kam qenë futbollist. Jam këtu për t’u riedukuar si çdo i dënuar tjetër”.

Burgut ku ndodhet Robinho i është vënë nofka “Burgu për njerëzit e famshëm”, për shkak të të burgosurve të njohur që ka strehuar ndër vite. Sipas mediave braziliane, futbollisti kishte kërkuar së fundmi transferim në një tjetër qendër paraburgimi, por kërkesa e tij është refuzuar nga gjykata.
Robinho ndodhet pas hekurave pas vendimit të gjykatës italiane që e shpalli fajtor për përdhunimin e një gruaje shqiptare në Milano në janar 2013, gjatë kohës që luante për Milanin. Ai u dënua bashkë me mikun e tij Ricardo Falco, i cili u burgos tre muaj pas tij për të njëjtin krim. Ndërkohë, një tjetër mik i Robinhos, Rudney Gomes, i përfshirë në rast por që nuk u dënua, u gjet i vdekur në mars të këtij viti në qytetin e Santos, në atë që autoritetet e kanë cilësuar si vetëvrasje.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave italiane e braziliane, Robinho vazhdon të mohojë fajin, duke pretenduar se marrëdhënia me viktimën ishte “konsensuale”.

















