Shqipëria U-19 luajti pasditen e sotme takimin e parë miqësor kundër Italisë U-19.
Në takimin e zhvilluar në Novarello Sporting Center, ekipi i drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj u mund me rezultatin 4-1.
Tekniku kuqezi e nisi sfidën me këtë formacion: Taho (GK), Avdullari, Sina, Gecaj, Shpuza, Gashi, Huqi, L. Krasniqi, B. Krasniqi, Arifi (C), Malaj.
Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh falë golit të realizuar nga Besalet Krasniqi në minutën e 8-të. Por axurrët barazuan shifrat pas tre minutash me Cama-n, ndërsa pëmbysën rezultatin në minutën e 17-të me Federico Coletta-n.
Vendasit shënuan edhe golin e tretë në minutën e 41-të me Artesanin. Trajneri Ahmataj bëri dy zëvendësime pak para përfundimit të pjesës së parë, duke hedhur në fushë El Malem dhe Sylejmanin.
Fraksioni i parë mbyllet me shifrat 3-1 për Italinë.
Pjesa e dytë nis mirë për italianët, të cilët realizojnë golin e katërt me Atzenin.
Trajneri shqiptar ndërhyri në fushë edhe në këtë fraksion duke hedhur forca të freskëta si Duka, Hoxha e Lataj.
Gjithsesi deri në fund rezultati nuk ndryshon më, pavarësisht përpjekjeve të skuadrës sonë.
Ekipi kuqezi do të luajë të enjten sfidën e dytë miqësore të programuar ndaj Italisë në ora 11:00. Këto dy takime janë të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve të kualifikueseve të Europianit për këtë grupmoshë.