Turqia ka thënë se ka kryer një mori sulmesh ajrore kundër rebelëve kurdë në veri të Irakut, disa orë pas një shpërthimi vetëvrasës afër Ministrisë së Brendshme turke.
Qeveria ka thënë se 20 shënjestra janë shkatërruar dhe shumë militantë të grupit të ndaluar Partia Popullore e Kurdistanit (PKK) janë “neutralizuar”.
PKK ka thënë se në mëngjesin e së dielës është kryer një sulm nga një grup i lidhur me të në kryeqytetin turk Ankara, dhe për pasojë, një person e ka hedhur veten në erë.
Një sulmues i dytë është vrarë nga policia dhe dy zyrtarë policorë janë plagosur.
PKK-ja konsiderohet grup terrorist në Turqi, Shtetet e Bashkuara, Britani të Madhe dhe Bashkimin Evropian.
Ministria turke ka thënë se në sulmet e së dielës janë shënjestruar depo dhe bunkerë të përdorur nga PKK-ja.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka përshkruar sulmin në Ankara si “valëvitjet e fundit të terrorizmit”.
“Personat që kanë synuar ta cenojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë, nuk e kanë arritur qëllimin e tyre dhe nuk do të arrijnë kurrë”, ka thënë ai.
PKK-ja, e cila ka rrënjë marksisto-leniniste, është formuar në vitet ’70 dhe ka nisur luftë të armatosur kundër Qeverisë turke më 1984, duke bërë thirrje për shtet të pavarur kurd brenda Turqisë.
Në vitet ’90, ky grup ka hequr dorë prej kërkesave për shtet të pavarur dhe ka bërë thirrje për më shumë autonomi për kurdët.
Më shumë se 40.000 persona kanë vdekur në konflikt.
Për sulme të kohëpaskohshme raportohet pas dhënies fund të një armëpushimi, në korrik të vitit 2015./REL