Turqia ka rënë dakord të mbështesë aplikimet për anëtarësim në NATO të Finlandës dhe Suedisë, tha presidenti finlandez.
Presidenti i Finlandës Niinisto tha se përparimi erdhi pasi të tre vendet nënshkruan një memorandum të përbashkët “për të zgjeruar mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së njëri-tjetrit” pas takimit në samitin e NATO-s në Madrid.
“Memorandumi ynë i përbashkët nënvizon angazhimin e Finlandës, Suedisë dhe Turqisë për të dhënë mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së njëri-tjetrit. Të bëhemi aleatë të NATO-s do ta forcojmë më tej këtë angazhim.
Gjatë javëve të fundit, Turqia ka ngritur shqetësimet e saj për kërcënimin e terrorizmit. Finlanda i ka marrë vazhdimisht këto shqetësime seriozisht.
Finlanda dënon terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij. Si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të angazhohet plotësisht ndaj dokumenteve kundër terrorizmit dhe politikave të NATO-s.
Ndërsa ne e forcojmë bashkëpunimin tonë për antiterrorizmin, eksportet e armëve dhe ekstradimet, Finlanda natyrisht vazhdon të operojë sipas legjislacionit të saj kombëtar.
Jam i lumtur të përfundoj këtë fazë në rrugën e Finlandës drejt anëtarësimit në NATO. Tani pres me padurim biseda të frytshme mbi rolin e Finlandës në NATO me aleatët tanë të ardhshëm këtu në Madrid“,- tha në një deklaratë presidenti Niinisto./Opinion.al