Turqia ka informuar Shtetet e Bashkuara se beson se mbështetësit e klerikut mysliman, Fethullah Gulen, me seli në SHBA, ishin përgjegjës për vrasjen e ambasadorit rus në Ankara.
Agjencia shtetërore turke, Anadolu, ka raportuar mbrëmë se ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, i ka thënë sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, gjatë një bisede telefonike se “Turqia dhe Rusia kanë dijeni se (organizata e Gulenit) ka dorë në sulm”, nga i cili u vra ambasadori rus, Andrei Karlov.
Turqia kishte kërkuar ekstradimin e klerikut Gulen, që jeton në ekzil në Pensilvani të Shtteve të Bashkuara, lidhur me puçin e dështuar ushtarak kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në muajin korrik të këtij viti.
Ankaraja është e zemëruar pasi Departamenti amerikan i drejtësisë ka insistuar që të ketë dëshmi bindëse për fajësinë e zotit Gulen, para se të veproj lidhur me kërkesën për ekstradim.