Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë goditi Turqinë perëndimore mbrëmjen e sotme, duke tronditur disa qytete, përfshirë Stambollin dhe qendrën turistike të Izmirit.
Mësohet se tërmeti ndodhi në orën 19:53 në rrethin Sindirgi të provincës Balikesir, në një thellësi prej 11 km (6.8 milje).
Dridhja u ndje deri në 200 kilometra (125 milje) larg në Stamboll dhe u pasua nga disa lëkundje, përfshirë një me magnitudë 4.6, sipas agjencisë së lajmeve AP.
Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara.
Qendra Gjermane e Kërkimit për Gjeoshkencat (GFZ) e mati dridhjen me magnitudë 6.19 ballë dhe thellësi 10 km.
Sipas mediave, tërmeti u ndje në disa provinca në perëndim, por nuk pati raportime të menjëhershme për viktima ose dëme të konsiderueshme. Megjithatë, media lokale e cituar nga AP tha se një ndërtesë u shemb në qytetin Sindirgi, epiqendra e tërmetit.
Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha në platformën “X” se ekipet e emergjencës kishin filluar inspektimet në Stamboll dhe provincat fqinje.
“Deri më tani nuk ka ardhur asnjë raport negativ,” postoi Yerlikaya.
Kujtojmë se në vitin 2023, një tërmet me magnitudë 7.8 goditi Turqinë, duke rezultuar në vdekjen e mbi 53,000 njerëzve dhe duke shkaktuar shkatërrime të gjera në qindra mijëra ndërtesa në 11 provinca në rajonet jugore dhe juglindore.
Rreth 6,000 njerëz humbën jetën gjithashtu në zonat veriore të Sirisë fqinje.
Autoritetet po vazhdojnë të monitorojnë situatën.