Bota

Turqia dhe Egjipti: A po kthehen rivalët në partnerë?



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:34 - 05/12/22 |
Opi Nion

Qeveritë e Kairos dhe të Ankarasë i rikthehen mirëkuptimit, u tha pas një takimi të kryetarëve të dy shteteve. Pas vitesh të tëra rivaliteti madje tani po flitet për bashkëpunim. Por afrimi pritet të jetë i kufizuar.

Ka kohë që marrëdhëniet midis dy vendeve nuk kanë qenë të mira dhe pa fërkime, por tani Egjipti dhe Turqia kërkojnë që t’i ngrenë raportet e tyre mbi një bazë të re. Kështu deklaruan presidenti egjiptian Abdel Fatah al-Sisi dhe kolegu i tij turk, Rexhep Tajip Erdogan para pak ditësh në kuadër të ceremonisë së hapjes së Kampionatit Botëror të Futbollit. Të dy kryetarët e shteteve shtrënguan duart me njëri-tjetrin në prani të emirit të Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, dhe deklaruan se në të ardhmen do të bashkëpunojnë më shumë.

Shtrëngim simbolik duarsh në Katar

Dhe faktikisht pak pas takimit pati lëvizje në marrëdhëniet midis dy vendeve. Kështu, sipas njoftimeve të agjencive delegacione të shërbimeve sekrete të dy vendeve u takuan në fundjavë në Egjipt. Midis delegacioneve ka pasur bisedime “të rëndësishme”, deklaroi për agjencinë e lajmeve Reuter, një zyrtar i lartë turk, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Të dy palët folën për çështje ushtarake, politike dhe tregtare, përfshirë dhe projektet në fushën e energjisë, deklaroi zyrtari turk. Përveç kësaj, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu deklaroi, se të dy vendet duan të rifillojnë marrëdhëniet e plota diplomatike dhe do të emërojnë “muajt e ardhshëm” ambasadorët përkatës. Të dy vendet i patën ndërprerë marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh, në vitin 2013.

Direkt pas takimit të dy kryetarëve të shteteve edhe Ministria e Jashtme egjiptiane deklaroi se takimi do të pasohet nga hapa të tjerë. Synimi është që marrëdhëniet bilaterale të normalizohen sërish, pas “viteve të tensionuara”. Megjithatë, bisedimet e zhvilluara deri tani nuk kanë çuar tek eliminimi i pikëpamjeve të ndryshme që ekzistojnë mes dy palëve, thuhet shkurtimisht.

Konflikte dhe rivalitete 

Lista e mospërputhjeve në pikëpamje dhe e rivaliteteve midis dy vendeve është e gjatë. Ato kanë filluar para vitit 2013. Në atë kohë qeveria turke e pati quajtur në mënyrë të përsëritur si ilegjitime, shkarkimin nga ushtria të presidentit Mohammed Mursi, që vinte nga radhët e Vëllazërisë Myslimane. Erdogan e quajti al-Sisin “puçist”. Kur Egjipti e futi Vëllazërinë Myslimane në listën e organizatave terroriste dhe e ndaloi atë, shumë anëtarë të organizatës gjetën strehim në Turqi.

Qeveria egjiptiane akuzoi Ankaranë nga ana tjetër, se përkrah organizatat islamiste, sidomos Vëllazërinë Myslimane. Për vite të tëra marrëdhëniet mbetën të tensionuara. Madje në pranverë të 2019-ës, Erdogani dekaroi se nuk ka ndër mend të pajtohet me al-Sisin. “Unë nuk pranoj të takohem me një njeri që është antidemokrat, që ka dënuar me burgim Mursin dhe shokët e tij,” pati thënë Erdogani.

Kohët e fundit, Ankaraja u ka kërkuar televizioneve egjiptiane të lidhura me Vëllazërinë Myslimane ose grupime të tjera opozitare, që veprojnë në Turqi që të përdorin gjuhë të matur, kur kritikojnë qeverinë egjiptiane. Faktikisht mundësitë e opozitës egjiptiane janë duke u kufizuar gjithnjë e më shumë, thotë Kristian Brakel, drejtues i zyrës së fondacionit gjerman Heinrich-Böll në Turqi. Disa opozitarë egjiptianë janë duke menduar ndërkohë që të largohen nga Turqia dhe të vendosen diku gjetkë. “Nuk përjashtohet mundësia që kjo tendencë të jetë në rritje,” thotë Brakel.

Politikisht dhe ekonomikisht të dy vendet ndodheshin përballë njëri-tjetrit si rivalë edhe në luftën civile në Libi. Egjipti përkrahte burrin e fortë të qeverisë në mërgim në Tobruk, Khalifa Haftarin, në mënyrë që me ndihmën e tij të pengonte krijimin e mundshëm të një qeverie ku të merrnin pjesë edhe islamistët, kurse Turqia përkrahte ish-kryeministrin e qeverisë së njohur nga komuniteti ndërkombëtar, Fajis al-Sarradschit. Në vitin 2019 Turqia lidhi me të një marrëveshje për të vendosur nga e para kufijtë detarë midis dy vendeve, marrëveshje që u kritikua nga komuniteti ndërkombëtar. Pas kësaj ujërat territoriale turke u shtrinë deri në kufi me ishullin grek të Kretës. Turqia mendon se atje ka rezerva të konsiderueshme gazi.

Deri tani Egjipti ka mbajtur anën e Greqisë në grindjet për rezervat e gazit. Të dy vendet nënshkruan në verë të 2020-ës, një marrëveshje e cila vendoste piketat e zonave të tyre ekonomike në Mesdheun Lindor. Qeveria turke e kritikoi këtë marrëveshje si “marrëveshje pirate”.

Sinjale edhe për partnerët e Egjiptit 

Por tani Ankaraja ka shtuar përpjekjet për pajtim dhe është në kërkim të partnerëve të rinj. Sinjale të ngjashme Ankaraja dërgoi edhe në drejtim të dy partnerëve tradicionalë të Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, thotë Brakel. Këto tri vende kanë qenë partnerë prej vitesh në koalicionin ushtarak ndërkombëtar, të drejtuar nga Arabia Saudite, që lufton kundër rebelëve huti në Jemen. Përveç kësaj, të dy shtetet e Gjirit kanë të njëjtin qëndrim si qeveria egjiptiane ndaj Vëllazërisë Myslimane, tek e cila shohin sfidë ideologjike dhe sfidë politike pushteti, por dhe rrezik për sundimin e tyre autokratik.

Për shkak të inflacionit të lartë, qeveria e Ankarasë ndjen nevojën e përshtatjes së kursit të vet, thotë Brakel:  “Nga këto vende vijnë edhe tani ndihma të konsiderueshme financiare, para zhvillimit të zgjedhjeve turke,” thotë ai. Ka mundësi që dy shtetet e pasura të Gjirit të kenë vendosur si kusht për dhënien e këtyre ndihmave, zgjidhjen e problemeve egjiptiano-turke. Por njëkohësisht, të dy shtetet e Gjirit janë të vetëdijshëm për rëndësinë gjeostrategjike të Turqisë, thuhet në një analizë të revistës online, Al Monitor. Po ashtu, ato shohin mundësitë e mëdha për investime që ofron tregu turk. Erdogani zhvilloi një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe në shkurt të këtij viti. Me të dy vendet, Turqia ka nënshkruar ndërkohë disa marrëveshje bashkëpunimi.

Cila është më e rëndësishme për Kajron Athina apo Ankaraja?

Kjo mund t’i ketë dhënë kurajo Egjiptit për të rritur marrëdhëniet tregtare me Turqinë. Sipas një studimi të qendrës Carnegie Middle East Center, volumi tregtar midis dy vendeve është rritur 15 vitet e fundit me më shumë se dy herë. Në këtë mënyrë të dy vendet u përpoqën gjatë pandemisë së koronës të kapërcenin vështirësitë e furnizimit me lëndë të para nga Azia, sidomos Kina, thuhet në një version në gjuhën angleze të së përditshmes turke “Sabah”. Edhe në Mesdheun lindor të dy shtetet mbështesin mirëkuptimin. “Për Egjiptin dhe Turqinë kjo është tema më e rëndësishme,” citon Sabah ekonomistin Ahmed Zikrallah, i cili jep mësim në universitetin Al-Azhar. “Mua më duket se të dy vendet mundohen të gjejnë zgjidhje të përbashkët”.

Si përfundim, qeveria e Kairos mendohet të jetë më pak e interesuar për afrim se sa qeveria e Ankarasë, thotë eksperti Brakel. Sepse Kairo ka një arsye të rëndësishme që të mbështesë në Mesdhe më shumë Greqinë se sa Turqinë, sepse Greqia është anëtare e BE-së.

“Greqia i ofron Egjiptit korridor në tregun europian. Edhe kjo është arsyeja, pse sipas pikëpamjes egjiptiane, Greqia është partnere shumë më interesante, se sa mund të jetë ndonjëherë Turqia.”/DW

 

Pas