Koronavirusi vijon të shkaktojë viktima në të gjithë botë si dhe dëme të mëdha ekonomike. Por, duke përfituar nga situata shumë njerëz, për përfitime të ndryshme, kanë shpërndarë materiale të pa vërteta në lidhje me pandeminë.
Për këtë arsye, mësohet se Turqia ka arrestuar 400 persona, duke deklaruar se kanë shpërndarë lajme me përmbajtje provokative për virusin vdekjeprurës.
Ministri i Brendshëm turk njoftoi ditën e sotme se në 42 ditët e fundit, janë marrë në shqyrtim 6,362 llogari në rrjete sociale. Prej tyre, janë identifikuar 855 të cilët kishin shpërndarë lajme provokative ndërsa 402 persona u arrestuan.
Autoritetet kanë nisur një operacion për evidentimin e këtyre personave të cilët shpërndajnë informacione të rreme duke përhapur panik tek qytetarët. Deri më tani Turqia ka shënuar mbi 2,800 viktima dhe rreth 110,000 të infektuar në të gjithë vendin./ Opinion.al