Ato që kemi vënë re të gjithë kur kemi shkuar me pushime sot u artikuluan nga vetë investitorët. Shërbimi ka probleme, thanë ata, “sepse nuk kemi ku të gjejmë personel të kualifikuar”. Po kështu investitorët sidomos ato të zonave malore, Razëm e Theth, thanë se rruga është e keqe dhe se mungojnë dritat dhe uji. Po kështu edhe për Sarandën u ngrit problemi i ujit të pijshëm dhe energjisë, ku biznesmenia Metohu tha se në verë Saranda merr uje me bote, pasi s’ka ujë në cezma. Ndërsa administratori i Folie Marinë tha se “problemin më të madh e kemi me personelin që është i pakualifikuar”.