-Kulturë

Turistët “zbulojnë” Apolloninë


               Publikuar në : 22:35 - 29/09/19 |
Al Do

Mban emrin e Perëndisë greke të Diellit, por është Apollonia e Ilirisë. Qyteti antik është vetëm 14 kilometra nga Fieri, në drejtim të detit Adriatik.

Turizmi bregdetar njihet si pika e fortë e turizmit në Shqipëri. Po thesaret e antikitetit siç është edhe Parku Arkeologjik i Apollonisë, dëshmojnë se kultura dhe historia janë në fokus të turistëve, dhe ky lloj nuk njeh kohë.

Monumenti i Aganoteteve i njohur si selia e këshillit të qytetit, manastiri mesjetar dhe Kisha e Shën Marisë marrin gjithë vemendjen e tyre.

“Ishte i gjithi një zbulim për mua. Muzeu i Apolonisë është shumë impresionues”.

“Jam nga Belgjika. Apolonia është e përfshirë në turin e Shqipërisë. Më kanë impresionuar kultura dhe natyra”.

“Interesante, shumë interesante Apolonia. Kisha më pëlqeu shumë”.

Admiri, arkeologu që prej 11 vitesh punon në Apoloni thotë se fluksi i turistëve ka qenë i madh edhe në Shtator.

Janë 49 mijë turistë që kanë ardhur deri tani, krahasur me 45 mijë që erdhën gjatë gjithë vitit të kaluar. Pra e kemi tejkaluar numrin. Vijnë që nga Australia e deri në Amerikë.

Muzeu arkeologjik duket që në hyrje. Objektet brenda tij janë organizuar në një rend kronologjik nga periudha para koloniale e deri tek ajo romake.

“Muzeu është brenda një manastiri mesjetar të shekullit 13 pra një muze brenda muzeu. Ka të ekspozuara rreth 1000 objekte të gjetura të gjitha në zonën e Apolonisë”, thotë arkeologu Admir Xhalaj.

Simboli i tij është mburoja ilire me rrathet koncentrike dhe meduzen në qendër.

“Është gjetur këtu në Apoloni në 1982, u deshën më shumë se 20 vjet punë për ta vendosur të gjithën bashkë. Përdorej nga hoplitet këto lloj zakonisht përdoreshin nga shtresa e lartë”.

Kisha e Shën Marisë, që ndodhet përballe tij është një tjetër atraksion për turistët.  Është një objekt që i takon fundit të shekullit XII. Ka një stil të përzier, atij bizantin të Kostandinopojës e tipit kryq me kupolë qëndrore, po në mes të shekullit XIII me ndikim të Italisë së Jugut filloi ndikimi i stilit romanik.

Apollonia u ndërtua në shekullin e VII Para Krishtit në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorët helenë që vinin nga Korinti. 90% e Apollonisë antike gjendjet ende nën tokë, po edhe aq sa gërmimet kanë nxjerrë në pah mjaftojnë për të dëshmuar se shkëlqimin 1000-vjeçar i tij vijon të mrekullojë njerëzimin edhe sot. /Burimi : tvklan.al

Pas