Ditët e para të muajit qershor kanë sjellë dyndje të turistëve nga vende të ndryshme që zgjedhin Shqipërinë si të preferuarën e tyre.
Sipas ekspertëve të turizmit, plazhet, historia, bukuritë natyrore mbeten ndër arsyet kryesore që të huajt e preferojnë vendin tonë, nga jugu në veri.
“Normalisht kryefjala është plazhi, por turistët zgjedhin të vizitojnë sajtet kulturore dhe historike. Gjithashtu edhe sportet e aventurës. Durrësi dhe Vlora mbajnë peshën kryesore të mikpritjes së turistëve sa i përket plazhit, ndërsa Berati, Kruja edhe Shkodra mbajnë peshën kryesore të turistëve që preferojnë historinë dhe kulturën.
Trend i ri për destiancionet është edhe Dibra dhe Pogradeci për shkak të përmirësimit të infrastrukturës”, tha eksperti i turizmit, Rigers Beqiri.
Por cilët jane 3 shtetet që zënë peshën kryesore të fluksit të vizitorëve të huaj?
“Momentalisht është Italia, Franca dhe Mbreteria e Bashkuar dhe kjo lidhet direkt me fluturimet shumë të lira, të cilat janë me këto tre shtete.”
Shqipërinë gjatë kësaj periudhe po e vizitojnë grupmosha të ndryshme, për qëllime të ndryshme turistike.
“Grupmoshat e reja preferojnë sportet e aventurës dhe jetën e natës. Grupmoshat e mesme preferojnë plazhin dhe ushqimin e mirë, ndërsa grupmoshat e mëdhaja preferojnë më shumë kulturën dhe historinë.”
Korriku dhe gushti pritet të jenë muajt me fluksin më të lartë të vizitorëve në vendin tonë, referuar kjo dy viteve të fundit.
Klan News