Turizmi malor po tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë. Për shkak edhe të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, Bjeshkët e Gramës dhe Korabit kanë marrë jo vetëm vëmendjen e vizitorëve dhe pushuesve vendas, por edhe turistëve të huaj, kryesisht ato të aventurës.
“Vetëm një orë larg qytetit të Peshkopisë ndodhen Bjeshkët e Gramës. Bjeshkët më të larta dhe të vizituara në të gjithë rajonin e Dibrës. Ato ndodhen në vargmalin e Korabit dhe këtu temperaturat nuk kalojnë mbi 26 gradë Celsius” raporton gazetari Neki Feta.
Janë të shumtë turistët e huaj që bëjnë haiking dhe ngjisin majën e Korabit, një pjesë e madhe qëndrojnë nëpër bujtinat e zonës ndërsa të tjerë rrinë në çadra e kampingje.
Bjeshkët e Gramës janë një nga destinacionet më të preferuara nga të vizitorëve nga e gjithë Shqipëria, që vijnë kryesisht të organizuar me familjet e tyre, apo me grupe shoqërie. Ato mund të qëndrojnë në bujtina apo edhe në çadra, ndërsa mund të shijojnë produktet e bulmetit nga stanet e shumta të zonës, madje aty ka edhe një baxho ku mund të blejnë produkte bulmeti bio.
Aty janë ndërtuar disa shtëpiza ku ofrohen për turistët për të qëndruar për fjetje. Grama me bjeshkët e saj të ofron pamje magjepsëse, burime me ujë të ftohtë, dy liqene të mrekullueshme dhe pyje të mëdha me bredha.
Turistët që vijnë e shijojnë në maksimum peisazhin, ujin e ftohtë, dhe produktet e stanit. Pjesa më e madhe lahen në ujërat e kristalta të liqeneve, në 1800 metra lartësi.
Ato shprehen se janë të mahnitur nga pamja, peisazhi, dhe ushqimet bio. Ajo që të gjithë e thonë, është se më parë nuk e kishim njohur Shqipërinë, por tani që e pamë, do të rikthehemi.
“Unë kam ardhur nga Gjermania. Jetoj në Berlin. Është hera e parë që kam ardhur në Shqipëri. Nuk e dija që këtu kishte një zonë të tillë. Është vend shumë i mirë për haiking. Kemi qenë në Peshkopi dhe do të ngjisim edhe Malin e Korabit. Për tre ditë ishim në Tiranë, ku ishte një qytet me njerëz të mrekullueshëm,” shprehet një turist nga Gjermania.
“Shqipëria është shumë e njohur dhe shumë media shkruajnë për të. Kemi ardhur këtu për haiking. Është një vend i mrrekullueshëm dhe për sportet e aventurës është shumë mirë sepse nuk ka shumë njerëz” thotë një tjetër turiste e huaj.
Erindi Spata, ka qenë në emigrim në Angli, por prej dy vitesh është rikthyer dhe u shërben vizitorëve. E gjithë familja jemi në shërbim të turistëve thotë Erindi, u shërbejmë me gatime të zonës, gatime bio dhe produkte të stanit.
Erindi Spata: Ka një vit që jam kthyer nga Anglia sepse e pashë që ka shumë turistë dhe nuk kisha njerëz. Kisha vetëm babin dhe mamin dhe u ktheva sepsae e pashë të arsyeshme të investoj në vendin tim dhe të merrem me turistët. Duke parë që tani vijnë njerëz nga të gjithë vendet e botës dhe jo vetëm shqiptarë.
Grama me bjeshkët e saj të ofron pamje magjepsëse, burime me ujë të ftohtë, dy liqene të mrekullueshme dhe pyje të mëdha me bredha.
Klan News