Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministres britanike Liz Truss këtë të enjte.
Sipas mediave të huaja,Macron u shpreh se e rëndësishme është që Britania të gjejë stabilitet sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ne duam, mbi të gjitha, stabilitet”, u tha Macron gazetarëve teksa mbërriti në një samit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
“Në nivel personal, jam gjithmonë i trishtuar kur shoh një koleg të largohet”, shtoi ai.
Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss dha dorëheqjen pas 45 ditësh në detyrë, pas një buxheti të dështuar për uljen e taksave që tronditi tregjet financiare dhe që çoi në një revoltë brenda Partisë së saj Konservatore.
Truss u emërua kryeministre më 6 shtator, vetëm dy ditë para se mbretëresha Elizabeth II të ndahej nga jeta. Liz Truss do të jetë kryeministrja me mandatin më të shkurtër në historinë e Mbretërisë së Bashkuar./Opinion.al