Bota

Trump thirrje homologut kinez: Takohu personalisht me protestuesit


               Publikuar në : 08:20 - 16/08/19 |
el ida

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje liderit kinez, Xi Jinping, të takohet personalisht me protestuesit në Hong Kong për të sjellë atë që ai e quajti një fund të lumtur të një krize disa javore, të shkaktuar nga protestat pro-demokracisë në ish-koloninë Britanike.

Trump, tha gjithashtu se ai do të bisedojë së shpejti me presidentin Jinping, për të diskutuar krizën në qendrën e tensionuar të Azisë, së bashku me mosmarrëveshjen e vazhdueshme tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Protestat pro-demokracisë në Hong Kong janë shoqëruar me përleshje në rrugë, midis protestuesve dhe policisë, si dhe dy ditë ndërprerje të fluturimeve në aeroportin e Hong Kongut, në fillim të kësaj jave.

Qeveria kineze ka kritikuar ashpër demonstruesit, duke e cilësuar sjelljen e tyre të përafërt me terrorizmin.

Protestat u nxitën nga një projekt-ligj që do të lejonte të dyshuarit të ekstradohen në territorin e Kinës.

Projekt-ligji u pezullua nga ana e autoriteteve të Hong Kongut, por kërkesat e protestuesve janë rritur duke përfshirë dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lamit, zgjedhje të reja, shpërbërjen e legjislaturës aktuale dhe një hetim mbi brutalitetin e dyshuar të policisë ndaj tyre.

Hong Kongu është pjesë e Kinës, por gëzon më shumë autonomi sesa rajonet e tjera kineze./Opinion.al

Pas