Trump sulmon Zelenskyn dhe pretendon se marrëveshja është afër

Kur u duk se nisma amerikane për fundin e luftës në Ukrainë arriti pikën e dështimit, Presidenti Donald Trump, shtoi edhe një herë presionin ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.


Në një postim të gjatë në Truth Social, Trump pohoi se marrëveshja është “shumë afër” dhe pasi i bën presion Presidentit të Ukrainës, i kërkon “ta pranojë”.

“Ne jemi shumë afër marrëveshjes, por njeriu që ‘nuk ka letra për të luajtur’ tani, duhet ta pranojë. Mezi pres të ndihmoj Ukrainën dhe Rusinë të dalin nga kjo çmenduri e plotë, që nuk do të kishte filluar kurrë nëse do të isha president”.

Megjithatë, pjesa më e madhe e postimit i referohet kritikave të Zelenskyt në Wall Street Journal për çështjen e Krimesë, për të cilën tha se Ukraina nuk do të heqë dorë kurrë as si pjesë e negociatave të paqes. Presidenti i quajti komentet e Zelenskyt të dëmshme që e bëjnë më të vështirë arritjen e marrëveshjes së paqes me Rusinë.

Trump shton se gadishulli i Krimesë është humbur vite më parë “dhe tani nuk është as një pikë diskutimi”.

Replikat lidhen me një plan paqeje me shtatë pika që qarkulloi në disa media të mëdha ndërkombëtare.

Sipas tyre plani i propozuar nga Trumpi për t’i dhënë fund luftës përfshin njohjen zyrtarisht nga SHBA-ja të Krimesë si territor sovran rus. Rusia e pushtoi Krimenë në vitin 2014.

Po në lidhje me negociatat për fundin e luftës, zyrtarë amerikanë, ukrainas dhe evropianë zhvilluan takime të mërkurën në Londër në përpjekje për të ringjallur bisedimet, kjo pasi Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio anuloi udhëtimin e tij, duke ngritur pikëpyetje mbi përparim e bërë.

Mosparaqitja e Rubios bëri që një takim më i gjerë me ministrat e jashtëm të Ukrainës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë të anulohej.

Në këtë takim, shefi i kabinetit i Zelenskyt i tha të dërguarit të SHBA-së se Ukraina do t’i qëndrojë pozicionit parimor lidhur me integritetin territorial.

Më herët, zv/Presidenti JD Vance tha se Uashingtoni do të “largohet” nga negociatat nëse Ukraina dhe Rusia nuk bien dakord për një marrëveshje.

Shtyrja e takimit të Londrës gëzoi Kremlinin që tha se ka ende “shumë nuanca” rreth bisedimeve për t’i dhënë fund luftës dhe se pozicionet e palëve të përfshira në bisedime nuk janë afruar.

Sugjerimet e administratës Trump për të njohur territor sovran rus Krimenë e pushtuar, sipas ekspertëve shkel hapur ligjin ndërkombëtar. Ekspertët parashikojnë se brenda disa javësh Presidenti Trump do të tërhiqet nga bisedimet e paqes dhe do të fajësojë Ukrainën për dështimin ndërsa përgjegjësia do t’iu kalojë europianëve.

Plani, i raportuar nga mediat amerikane në fundjavë, ngrin vijat e frontit në pozicionet e sotme. Aleatët e Ukrainës shpresojnë të marrin garanci sigurie dhe projekte rindërtimi në këmbim të çdo lëshimi të tillë territorial.

Financial Times pohoi se Vladimir Putin gjithashtu ka ofruar të ndalojë pushtimin përgjatë vijës aktuale të frontit, duke i ofruar SHBA-së marrëveshje për gazin dhe mineralet e rralla.

Pavarësisht këtyre bisedimeve për paqen, Rusia vijon sulmet ndaj civilëve në Ukrainë.

Klan News



Ju sugjerojmë

Para













TE FUNDIT