Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar “hakmarrje” pasi dy ushtarë amerikanë dhe një civil u vranë në Siri në një sulm të dyshuar të Shtetit Islamik (ISIS).
Sulmi ndodhi të shtunën pranë qytetit historik të Palmirës, ku forcat amerikane ranë në pritë nga një person i armatosur i vetëm. Përveç tre viktimave, edhe tre persona të tjerë mbetën të plagosur, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën, sipas autoriteteve amerikane.
“Ky është një sulm i ISIS-it”, deklaroi Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa më pas, në një postim në platformën Truth Social, paralajmëroi se SHBA-të do të reagojnë ashpër. “Do të ketë hakmarrje shumë serioze”, shprehet ai.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane konfirmoi se sulmuesi u neutralizua dhe u vra gjatë përplasjes. Identitetet e ushtarakëve të vrarë nuk do të bëhen publike deri në njoftimin e familjarëve. Pentagoni bëri të ditur se civili i vrarë ishte një përkthyes amerikan.
Sipas agjencisë shtetërore siriane SANA, të plagosurit dhe viktimat u transportuan me helikopter drejt bazës amerikane al-Tanf, pranë kufirit me Irakun dhe Jordaninë. Ndërkohë, autoritetet siriane po hetojnë nëse sulmuesi ishte anëtar aktiv i ISIS-it apo i frymëzuar nga ideologjia ekstremiste e grupit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, reagoi ashpër duke deklaruar se çdo kush që shënjestron amerikanët “do të ndiqet dhe do të eliminohet pa mëshirë”.
SHBA-të kanë ende qindra trupa të vendosura në Sirinë lindore si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it. Edhe pse grupi u mposht ushtarakisht në vitin 2019, OKB-ja vlerëson se mijëra luftëtarë të tij vazhdojnë të veprojnë në Siri dhe Irak përmes qelizave të fjetura.
Sulmi i fundit është i pari që shkakton viktima amerikane në Siri që prej rrëzimit të presidentit Bashar Assad një vit më parë dhe vjen në një moment delikat për sigurinë në rajon.

















