Presidenti Donald Trump tha të hënën se i ka hapur rrugën tranzicionit për presidentin e zgjedhur Joe Biden, duke udhëzuar administratoren e agjencisë federale të Shteteve të Bashkuara që është e ngarkuar me këtë proces, që “të bëjë atë që duhet bërë”, megjithëse do të vazhdojë me sfidat ligjore.
Administrata e Shërbimeve Qeveritare (GSA) hapi dritën jeshile zyrtarisht për tranzicionin presidencial, pak pasi shteti i Miçiganit çertifikoi fitoren e demokratit Biden.
Me zhvillimet e fundit, përpjekjet e presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, që kishin pësuar disa disfata, duket se po i afrohen përfundimit.
Presidenti Trump shkruante në Twitter se administratorja e GSA-së Emily Murphy dhe ekipi i saj duhet “të bëjnë atë që duhet bërë në lidhje me protokollet fillestare dhe i kam thënë ekipit tim të bëjë të njëjtën gjë”.
Dhënia e autorizimit nga GSA do të thotë që ekipi i zotit Biden tani do të ketë fonde federale dhe një zyrë për të kryer tranzicionin gjatë dy muajve të ardhshëm.
Kjo gjithashtu bën të mundur që zoti Biden dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris të marrin njoftime të rregullta të sigurisë kombëtare që merr edhe zoti Trump.
Një deklaratë nga ekipi i tranzicionit i zotit Biden, thuhej se takimet do të fillonin me zyrtarët federalë lidhur me përgjigjen e Uashingtonit ndaj pandemisë së koronavirusit, së bashku me diskutimet e çështjeve të sigurisë kombëtare.
“Unë e marr seriozisht këtë rol dhe, për shkak të zhvillimeve të fundit që përfshijnë sfida ligjore dhe vërtetime të rezultateve të zgjedhjeve, po e dërgoj këtë letër sot për t’i bërë ato burime dhe shërbime të disponueshme për ju,” shkruante në letrën për presidentin e zgjedhur, Biden, administratorja e GSA-së, Murphy.
Megjithëse në Twitter, Presidenti Trump shkruante se i kishte rekomanduar zonjës Murphy të fillonte tranzicionin, ajo vetë shkruante në një letër për agjencinë e saj, se vendimi ishte “vetëm i saji”.
Më parë GSA kishte thënë se zonja Murphy, një e emëruar nga zoti Trump në vitin 2017, do të “konfirmonte” ose do të miratonte zyrtarisht, tranzicionin kur fituesi të ishte i qartë.
“Përkundër raporteve të medias dhe sugjerimeve, vendimi im nuk u mor nga frika ose favoritizmi”, shkruante zonja Murphy.
Trump ka pretenduar në mënyrë të përsëritur pa prova se ai fitoi garën dhe ka kaluar javë të tëra duke ofruar pretendime të pabazuara për mashtrim të gjerë me votat, të cilat në mënyrë të përsëritur janë hedhur poshtë nga gjykatat.
Akti Presidencial për Tranzicionin i vitit 1963 nuk parashikon ndonjë afat të prerë brenda së cilit duhet të veprojë GSA, por agjencia ka vepruar historikisht pasi organizatat e medias parashikojnë fituesin, gjë që ndodhi më 7 nëntor.
Zoti Biden pritet të marrë detyrën më 20 janar pasi kishte fituar zgjedhjet me vota elektorale të mjaftueshme për të siguruar fitoren e Kolegjit Zgjedhor. Demokrati kryeson në votën popullore me më shumë se 6 milionë vota. Republikanët e tjerë janë distancuar gradualisht nga presidenti Trump ditët e fundit dhe kishin nxitur fillimin e procesit të tranzicionit.
Të hënën më herët, senatori nga Tenesi, Lamar Alexander që është në përfundim të mandatit dhe ka bërë vazhdimisht thirrje për fillimin e tranzicionit, lëshoi një deklaratë të re duke thënë që zoti Trump duhej “të vinte vendin në para së gjithash” dhe të ndihmonte administratën e zotit Biden të ketë sukses.
“Kur ke një jetë publike, njerëzit mbajnë mend veprimin e fundit që ndërmerr”, tha ai.
Senatori Republikan Rob Portman nga Ohajo i bëri thirrje të hënën Administratorse së Shërbimeve të Përgjithshme që të vinte në dispozicion paratë dhe personelin e nevojshëm për tranzicionin. Senatori Portman, një nga anëtarët kryesorë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe atij për Çështjet Qeveritare në Senat, tha gjithashtu se zoti Biden duhet të marrë informacione të nivelit të lartë mbi sigurinë kombëtare dhe planin e shpërndarjes së vaksinës për koronavirusin.
Senatorët Alexander dhe Portman, të cilët të dy kanë mbështetur zotin Trump, iu bashkuan një numri në rritje të zyrtarëve republikanë të cilët ditët e fundit i kishin kërkuar PresidentitTrump që të fillonte tranzicionin menjëherë.
Senatorja republikane Shelley Moore Capito e Virxhinias Perëndimore gjithashtu bëri thirrje për një tranzicion të qetë, duke thënë në një deklaratë të hënën se “në një moment të caktuar, zgjedhjet e vitit 2020 duhet të përfundojnë.”
Ndërkohë më shumë se 100 ish-zyrtarë republikanë të sigurisë kombëtare – përfshirë ish-Drejtorin e Sigurisë Kombëtare Tom Ridge, ish-Drejtorin e CIA-s Michael Hayden dhe ish-Drejtorin e Zbulimit Kombëtar John Negroponte – thanë në një deklaratë se refuzimi i zotir Trump për të pranuar dhe lejuar një tranzicion të rregullt”, përbën një kërcënim serioz” për procesin demokratik të Amerikës. Zyrtarët që nënshkruan letrën kanë shërbyer për katër presidentë republikanë, përfshirë zotin Trump.
Deklarata u bëri thirrje “Udhëheqësve Republikanë – veçanërisht atyre në Kongres – të kërkojnë publikisht që Presidenti Trump të pushojë sulmin e tij anti-demokratik ndaj integritetit të zgjedhjeve presidenciale.”/ VOA