Donald Trump nisi një sulm ndaj George Soros dhe djalit të tij, Alexander Soros në një postim në platformën “Truth Social”, duke i bërë thirrje sistemit të drejtësisë amerikane të ngrejë akuza kundër tyre për mbështetjen e tyre për protesta të dhunshme dhe aktivitete të tjera.
“George Soros dhe djali i tij i mrekullueshëm i ekstremit të majtë duhet të akuzohen sipas Aktit RICO për mbështetjen e tyre për protesta të dhunshme dhe shumë më tepër në të gjithë vendin”, shkroi Trump, duke iu referuar ligjit që lejon ndjekjen penale të organizatave kriminale.
Presidenti amerikan akuzoi gjithashtu Sorosin dhe ekipin e tij për dëmtimin e vendit, duke i quajtur ata “psikopatë“. Teksa i referohej miqve të Sorosit në Bregun Perëndimor të SHBA-së, Trump tha: “Kujdes, ne po ju vëzhgojmë!. Ne nuk do t’i lejojmë këta të çmendur ta shkatërrojnë Amerikën, pa i dhënë kurrë asaj një shans për të ‘marrë frymë’ dhe për të qenë e lirë“, shtoi ai në postimin e tij.
I mbijetuari i Holokaustit, 95-vjeçari George Soros, përdori pasurinë që grumbulloi në vitet 1970 dhe 1980 për të krijuar Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, të cilat mbështesin një gamë të gjerë kauzash dhe OJQ-sh në të gjithë botën, nga qeverisja e mirë dhe programet e ndërtimit të demokracisë deri te iniciativat liberale të politikave publike.
Djali i tij, Alexander Soros, ka menaxhuar aktivitetet filantropike të babait të tij që nga viti 2023.