Me nënshkrimin e një dekreti të posaçëm presidencial, Donald Trumpi ndërmori hapin e parë për të ndërtuar një mur kufitar me Meksikën. Presidenti i SHBA nënshkroi një urdhër për fillimin e këtij projekti shumë të diskutueshëm. Për vënien në jetë të këtij premtimi elektoral, ekspertët llogarisin shpenzime që do të kapin shumën e 40 miliardë dollarëve. Trumpi do ta vërë gurin e parë për murin që këtë vit. “Ai do ta frenojë vërshimin e drogave dhe të kriminalitetit”, tha zëdhënësi qeveritar Sean Spicer për murin.
Kufiri midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara ka një gjatësi prej 3200 kilometrash. Një pjesë e tij është e siguruar me gardhe kufitare dhe barrikada. Synimi është që të pengohet tregtia ndërkufitare me droga ilegale si dhe kalimi i kufirit prej personave pa leje qendrimi.