Bota

Trump: FBI më mori pasaportat. Prokurorët kundërshtojnë publikimin e provave



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:31 - 16/08/22 |
Opi Nion

Departamenti Amerikan i Drejtësisë thotë se publikimi i detajeve në lidhje me urdhrin e përdorur për bastisjen e shtëpisë së Donald Trump në Florida javën e kaluar mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme” në hetime.

Agjentët e FBI-së kontrolluan Mar-a-Lago për të zbuluar nëse Trump ka trajtuar gabimisht të dhënat e qeverisë kur ai u largua nga detyra si President i SHBA.

Kjo shënonte herën e parë që bastisej shtëpia e një ish-presidenti në një hetim penal.

Njëmbëdhjetë grupe dosjesh të klasifikuara u gjetën nga kontrolli një javë më parë në pronën në Palm Beach, sipas urdhrit, i cili u lëshua të premten.

Tani, disa organizata të lajmeve kanë aplikuar për të publikuar urdhrin për bastisjen e shtëpisë së Rrump.

Por prokurorët thanë të hënën se një masë e tillë “do të shkaktonte dëme të konsiderueshme dhe të pariparueshme në këtë hetim penal që është në vazhdim”.

“Nëse zbulohet, deklarata do të shërbente si një udhërrëfyes për hetimin duke ofruar detaje specifike rreth drejtimit dhe kursit të mundshëm të tij, në një mënyrë që ka shumë të ngjarë të komprometojë hapat e ardhshëm hetimor,” shkruajnë ata në një dosje gjyqësore.

Ata thanë gjithashtu se deklarata duhet të qëndrojë e vulosur sepse hetimi përfshin “materiale shumë të klasifikuara”.

Të hënën, Trump tha se FBI mori tre nga pasaportat e tij gjatë bastisjes – një hap që zakonisht do të ndërmerrej vetëm nëse hetuesit e konsideronin si një të dyshuar në rrezik për t’u arratisur.

“Ky është një sulm ndaj një kundërshtari politik në një nivel të paparë më parë në vendin tonë.”- tha Trump në platformën e tij të mediave sociale.

Një burim konfirmoi më vonë për CBS News – partneri amerikan i BBC-së – se pasaportat që i përkisnin Trump ishin marrë nga hetuesit më 8 gusht.

Në një email nga departamenti i drejtësisë drejtuar ekipit të zotit Trump, një zyrtar tha: “Ne kemi mësuar se agjentët e filtrit gjetën tre pasaporta që i përkisnin Presidentit Trump, dy të skaduara dhe një ishte pasaporta e tij aktive diplomatike” – dhe se ato ishin vënë në dispozicion për t’u marrë të hënën.

Raportet e mediave amerikane sugjerojnë se pasaportat tani janë kthyer.

Kërkimi i FBI-së ka shkaktuar një reagim të zemëruar nga aleatët e Trump, të cilët kërkojnë që deklarata për kontrollin e banesës së ish-Presidentit të zbulohet publikisht.

Urdhrat e kontrollit zakonisht duhet të nënshkruhen nga një gjyqtar, pasi prokurorët të kenë demonstruar se kanë arsye të mundshme për të besuar se një krim është kryer.

Urdhri i përdorur në bastisjen e Trump u bë publik të Premten – një veprim shumë i pazakontë gjatë një hetimi penal, për të cilin Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se ishte në “interes të konsiderueshëm publik”.

Në dosjen gjyqësore të së hënës, prokurorët përmendën kërcënimet kundër FBI-së si një arsye tjetër për të mbajtur të fshehtë urdhrin nga opinioni publik.

“Informacioni për dëshmitarët është veçanërisht i ndjeshëm duke pasur parasysh natyrën e profilit të lartë të kësaj çështjeje dhe rrezikun që zbulimi i identitetit të dëshmitarëve do të ndikonte në gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me hetimin,” thuhet në dosjen e gjykatës./Opinion.al

 

Pas