Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Trump dhe Osmani flasin për kërcënime nga Serbia, Qeveria hesht

2025/07/12 at 11:07 AM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 6 min
A A
Trump dhe Osmani flasin për kërcënime nga Serbia, Qeveria hesht

Derisa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, “ka parandaluar së voni” një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë nga Serbia në Kosovë, Qeveria në detyrë e Kosovës nuk komenton.


Pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë, çfarë rreziku specifik për sigurinë ekzistonte dhe kur, nuk iu përgjigj as Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Beogradi, në anën tjetër, thotë se presidentja Osmani po e akuzon rrejshëm Serbinë.

Pretendimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, kanë tërhequr vëmendje, por edhe kanë krijuar konfuzion, pasi në opinionin publik mungojnë detaje – të tilla si periudha kohore në të cilën ka mundur të ndodhte një përshkallëzim i tillë.

Duke folur më 10 korrik në një ligjëratë në Uashington, presidentja Osmani tha se kjo deklaratë e presidentit Trump, qartazi, u referohet “javëve të fundit” dhe se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”. Jeta Loshaj, studiuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se ekziston një kërcënim real nga Serbia, sidomos në formën e operacioneve speciale dhe kërcënimeve hibride të sigurisë.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e fundit e presidentes Osmani në lidhje me sulmin e mundshëm nga Serbia, vetëm se konfirmon shqetësimet e hershme që kanë ekzistuar – kryesisht brenda qarqeve të ekspertëve – bazuar në retorikën e zyrtarëve serbë, përfshirë edhe vetë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Megjithatë, për Loshajn është “e habitshme” që presidenti amerikan flet hapur për parandalimin e planeve të Serbisë për të sulmuar Kosovën – veprim që në praktikë do të përkthehej sulm ndaj NATO-s – ndërkohë që aleanca ushtarake nuk ka dalë me asnjë reagim zyrtar.

Dushan Janjiç, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se deklarata e presidentes së Kosovës se ka pasur një kërcënim sigurie nga Serbia në javët e fundit, është “joserioze”.

Ai beson se deklarata e Trumpit për këtë çështje i referohej Marrëveshjes së Uashingtonit midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e arritur në vitin 2020, gjatë mandatit të tij të parë presidencial.

Çfarë tha Trump?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Ai e akuzoi pasardhësin e tij të atëhershëm, ish-presidentin Joe Biden, se “ka dëmtuar perspektivën afatgjate me disa vendime shumë të pakuptimta”, por se ai “do ta rregullojë sërish”.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po luftonin ashpër, siç kishin bërë për dekada të tëra, dhe ky konflikt i gjatë kërcënonte të përshkallëzohej në luftë. Unë e ndalova atë”, shkroi Trump.

Pastaj, në një konferencë për mediat në Shtëpinë e Bardhë më 29 qershor, ai tha se, në muajt e fundit, SHBA-ja ka ndaluar ose parandaluar konflikte midis disa palëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën.

“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi. Ne arritëm ta parandalonim, por kam një mik në Serbi që tha se do të shkojë përsëri në luftë. Nuk do të them se është Kosova, por është Kosova. Ata po përgatiteshin për një luftë serioze, ne e parandaluam. E parandaluam për tregti. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë: ne nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, tha Trump.

Pastaj, më 9 korrik, ai përsëriti se e kishte ndaluar luftën në rajon, duke kërcënuar se do ta pezullonte tregtinë.

“Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”, tha Trump.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, sidomos në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe.

Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës kulmoi në shtator të vitit 2023 kur një grup i armatosur serbësh, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe – sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë dhe vrau një rreshter policie.

Kosova e përshkroi sulmin si terrorist dhe e akuzoi Serbinë se qëndron pas tij – gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohoi. Osmani e përmendi këtë sulm në Uashington, duke thënë se ngjarjet e tilla konfirmojnë se ekziston një rrezik real për incidente të ngjashme në të ardhmen, prandaj, tha ajo, është e rëndësishme që të ketë jo vetëm frenim ushtarak, por edhe politik të Serbisë nga planet e tilla.

Loshaj: Konfliktet nuk mund të përjashtohen plotësisht

Loshaj deklaron se hulumtimet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë – si ai për rritjen e forcave të operacioneve speciale në Serbi dhe mënyrën se si Kosova trajtohet në doktrinën serbe të sigurisë – tregojnë për shqetësime serioze në lidhje me sigurinë e Kosovës, por thekson se, megjithatë, ekzistojnë edhe disa kufizime.

“Kur vlerësohet gatishmëria aktuale e Serbisë për të nisur një sulm më të gjerë dhe konvencional ndaj Kosovës, duhen marrë në konsideratë edhe kufizimet. Për aq kohë sa Kosova është nën mbrojtjen e NATO-s, e cila ka një mandat për misionin e KFOR-it nga Kombet e Bashkuara, çdo lëvizje drejt një sulmi konvencional do të mbartte një rrezik të lartë për Serbinë. Pavarësisht kësaj, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së lëshoi një paralajmërim në shtator të vitit 2023 për një grumbullim të forcave ushtarake të Serbisë në kufirin me Kosovën, duke na kujtuar se skenarë të tillë nuk mund të përjashtohen plotësisht”, thotë Loshaj.

Ajo thekson, gjithashtu, se paqja në rajonin e Ballkanit Perëndimor është e brishtë dhe se kërkon vigjilencë dhe angazhim të vazhdueshëm nga NATO-ja dhe SHBA-ja.

Janjiç: Forcat serbe të sigurisë nuk merren me Kosovën prej muajsh

Janjiç thotë se publiku nuk është në dijeni të një tentative të re sulmi, të organizuar ndaj Kosovës, dhe se presidenti i SHBA-së, Trump, nuk kishte asgjë për të parandaluar.

“Qartazi, Vjosa Osmani nuk ndjek me vëmendje atë që po ndodh në Serbi. Këtu, me muaj, ushtria, forcat paraushtarake dhe madje edhe policia merren me gjëra të tjera, e jo me Kosovën. Kështu që kjo është një politikë joserioze, një përpjekje për t’i bërë përshtypje Trumpit dhe ambicies së tij për Çmimin Nobel për Paqe, por kjo nuk përputhet me faktet”, thotë Janjiç.

Qysh në nëntor të vitit të kaluar, në Serbi janë duke u organizuar protesta, që kërkojnë llogari për shembjen e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku mbetën të vrarë 16 persona.

Në fillim të korrikut, në rrjetet sociale u shfaqën disa fotografi me përshkrimin se anëtarët e grupit të armatosur nga Banjska, gjenden pranë Presidencës së Serbisë për të mbrojtur një grup studentësh që i kundërshton protestat, e që mbështeten edhe nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

Duke përdorur mjetet e njohjes së fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiçin, nga Mitrovica e Veriut, i cili është një nga 45 personat e akuzuar për kryerjen e sulmit në Banjskë.

Reagimet nga Beogradi

Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Presidenca e Serbisë të komentonte deklaratat e presidentes së Kosovës, në lidhje me planet e Beogradit për të sulmuar Kosovën gjatë disa javëve të fundit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha përmes një deklarate se Osmanit “i janë errësuar sytë”, për shkak të krizës së brendshme politike dhe pamundësisë për të formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të shkurtit.

Sipas tij, Osmani e akuzoi rrejshëm Beogradin për “planet e veta të dhunshme” dhe politikanët nga Prishtina “gënjejnë hapur”.

“Ne po e ruajmë paqen e brishtë në veri të Kosovës dhe Metohisë vetëm falë politikës së mençur dhe të matur të presidentit Vuçiq dhe përgjegjësisë së treguar nga populli serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në deklaratën e tij. REL



Ju sugjerojmë

Ngjarja në Fushë-Krujë/Qëllohet me armë ndaj lokalit të ish-shoferit të Arjan Ndojës
Kronikë

Gramsh/ Humbi jetën teksa po punonte për hapjen e një pusi, arrestohen 2 persona

12 Korrik, 2025 3:15 pm
(VIDEO)Vijon aksioni në Theth, banorit që po i shemben vilat u shërben policëve ujë
Aktualitet

(VIDEO)Vijon aksioni në Theth, banorit që po i shemben vilat u shërben policëve ujë

12 Korrik, 2025 3:00 pm
Rama: Stop qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë! Sekuestro nga..
Aktualitet

Rama: Stop qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë! Sekuestro nga..

12 Korrik, 2025 2:41 pm
“Drejtësi për Agonin”: Protestë në Kosovë pas vdekjes së 27-vjeçarit
Rajoni

“Drejtësi për Agonin”: Protestë në Kosovë pas vdekjes së 27-vjeçarit

12 Korrik, 2025 2:31 pm
U zunë në mënyrë të paligjshme/ Lirohen hapësirat publike në Tiranë, 2 në procedim
Aktualitet

U zunë në mënyrë të paligjshme/ Lirohen hapësirat publike në Tiranë, 2 në procedim

12 Korrik, 2025 2:10 pm
‘Në shtetrrethim’/Berisha:Ramaduro i shkatërron Thethit dhe veriut turizmin. Dënoj..
Aktualitet

‘Në shtetrrethim’/Berisha:Ramaduro i shkatërron Thethit dhe veriut turizmin. Dënoj..

12 Korrik, 2025 1:57 pm
Ndahet nga jeta në Kavajë ish-ambasadori gjerman, Werner Daum
Aktualitet

Ndahet nga jeta në Kavajë ish-ambasadori gjerman, Werner Daum

12 Korrik, 2025 1:39 pm
Akuzohet për financim të ISIS, GJKKO dënon me burg Muhamet Manollarin
Aktualitet

Trafik droge nga Amerika Latine, Gjykata e Posaçme lë në burg 7 të arrestuarit

12 Korrik, 2025 1:37 pm
Policia sekuestron 40 mijë € veshje të kontrabanduara/ Do shiteshin te tregu i..
Aktualitet

Policia sekuestron 40 mijë € veshje të kontrabanduara/ Do shiteshin te tregu i..

12 Korrik, 2025 1:22 pm
Rinis operacioni ndaj ndërtimeve pa leje në Theth/ Policia mbështet forcat e IKMT
Aktualitet

Rinis operacioni ndaj ndërtimeve pa leje në Theth/ Policia mbështet forcat e IKMT

12 Korrik, 2025 12:52 pm
Para
Situata me zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 29 vatra në 24 orë, 2 ende aktive

Situata e zjarreve/MM: 5 vatra aktive nga 21 të identifikuara. Ja bashkitë e prekura

Një shefe në Kuçovë, emërohen drejtuesit e rinj të 9 komisariateve në vend

Një shefe në Kuçovë, emërohen drejtuesit e rinj të 9 komisariateve në vend

E ndante kokainën në dhjetëra porcione për shitje, pranga 22 vjeçarit në Durrës

‘Çmendet’ 44 vjeçari futet në lokal me sëpatë e kanos dy shtetas, vihet në pranga
















TE FUNDIT

Gramsh/ Humbi jetën teksa po punonte për hapjen e një pusi, arrestohen 2 persona

Ngjarja në Fushë-Krujë/Qëllohet me armë ndaj lokalit të ish-shoferit të Arjan Ndojës
12 Korrik, 2025

Dy persona janë arrestuar sot më 12 korrik, vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Gramsh, ku...

Lexo më shumë

(VIDEO)Vijon aksioni në Theth, banorit që po i shemben vilat u shërben policëve ujë

(VIDEO)Vijon aksioni në Theth, banorit që po i shemben vilat u shërben policëve ujë
12 Korrik, 2025

Ka rinisur mëngjesin e kësaj të shtune, 12 korrik, operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar të...

Lexo më shumë

Rama: Stop qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë! Sekuestro nga..

Rama: Stop qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë! Sekuestro nga..
12 Korrik, 2025

Përmes një postimi në rrjetet sociale e shoqëruar edhe me anë të një videoje, kryeministri Edi Rama ka bërë një...

Lexo më shumë

“Drejtësi për Agonin”: Protestë në Kosovë pas vdekjes së 27-vjeçarit

“Drejtësi për Agonin”: Protestë në Kosovë pas vdekjes së 27-vjeçarit
12 Korrik, 2025

Paraditen e së shtunës është mbajtur një protestë paqësore në qytetin e Lipjanit me thirrjet për drejtësi në rastin e...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com