Thirrjet raciste drejtuar sulmuesit të Real Madridit, Vinicius Jr, gjatë një ndeshjeje të kampionatit spanjoll në stadiumin Mestalla më 21 maj 2023, do t’i kushtojnë shtrenjtë 3 tifozëve të Valencias.
Autoritetet vendase i kanë dënuar ata me tetë muaj burg dhe vendimi i marrë pas një ankese të paraqitur nga La Liga shënon dënimin e parë për racizëm në një ndeshje futbolli në Spanjë.
Tifozët e Valnecias u shpallën fajtorë për një “krim kundër integritetit moral” me “rrethanë rënduese të diskriminimit për motive raciste”. Ata fillimisht u dënuan me 12 muaj secili, por më pas dënimi u reduktua me 1/3 pas një marrëveshjeje të arritur në fazën e hetimit paraprak.
Vendimi po ashtu parashikon që tre tifozëve tu ndalohet hyrja në çdo stadium futbolli në të cilin luhen ndeshjet e La Ligës dhe/ose Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) për dy vite.