Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka pranuar se është takuar me organizatorin e sulmit në Banjskë të Kosovës, përpara se ngjarja e rëndë të ndodhte.
“Tre net me radhë kam pasur takim me ata. Aty ishin Radoiçiç, Simiç, dhe 10 burra të tjerë”, u shpreh ai duke tentuar t’i shfajësojë ata, me pretendimin se sulmi ndodhi nga pafuqia për të bërë diçka tjetër për të mbrojtur serbët.
Vuçiç, duke folur për një televizion në Beograd, u përpoq të mbronte veten në sytë e ndërkombëtarëve, duke deklaruar se u kërkoi terroristëve që t’u besojnë amerikanëve dhe europianëve për garancinë se nuk do të arrestohej njeri për barrikadat në veri të Kosovës.
Vuçiç pranoi se terroristët kanë vepruar gabim dhe premtoi se do të ndiqen penalisht, pavarësisht se realiteti aktualisht tregon të kundërtën. Milan Radoiçiç, që organizoi sulmin, është ende i lirë në Serbi.