Një 19-vjeçar nga Durrësi, është vënë në pranga nga policia pasi u kap në aksin rrugor Sukth – Kullë duke transporuar 4 kallëpe lëndë eksplozive tritol, me peshë 1 kilogram dhe kishte për qëllim shitjen e tyre. Policia bën me dije se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se një shtetas po transportonte lëndë eksplozive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kulla”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: R. K., 19 vjeç, banues në fshatin Kullë, Durrës.
Ndërkohë vijon puna nga autoritetet për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si dhe të implikimit ose jo në ngjarje kriminale, të 19-vjeçarit.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Manëz, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se një shtetas po transportonte lëndë eksplozive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kulla”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: R. K., 19 vjeç, banues në fshatin Kullë, Durrës.
Ky shtetas u kap në aksin rrugor Sukth – Kullë, duke transportuar me qëllim shitjen, 4 kallëpë lëndë eksplozive tritol, me peshë të përgjithshme rreth 1 kilogram.
Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si dhe të implikimit ose jo në ngjarje kriminale, të 19-vjeçarit.
Materialet e para hetimore në ngarkim të këtij shtetasi, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.