Oleg Kononov, trajneri i Krasnodar, ka bërë të qartë se Partizani ishte një prej skuadrave që ai njihte mirë, pasi kishte monitoruar përbërjen e të kuqve për të gjetur përforcime potenciale për skuadrën e tij. Tekniku i rivalëve të skuadrës shqiptare e ka shpjeguar edhe sot para gazetarëve arsyen pse ai kishte ndjekur ndeshjen e Partizanit me Red Bull Salzburgun, ndonëse nuk dinte që më pas do të përballej me të kuqtë.
“Unë po shihja ndeshjen e Partizanit pasi po kërkoja përforcime potenciale për Kransodarin. Kam parë shumë prej ndeshjeve të tyre dhe e kam thënë edhe më parë që janë një skuadër e organizuar në të gjitha linjat e lojës. Nuk është sekret se ata po përgatiten nga një specialist i mirë italian. Ekipi luan kompakt në mbrojtje.
Do të përballemi me një skuadër të organizuar dhe shumë serioze”, shpjegoi Kononiov para gazetarëve, duke lënë të kuptohet që kishte studiuar mirë kundërshtarët që do të kishte përballë në playoff të Ligës së Europës. “Do të luajmë në sulm. Do të kërkojmë të shënojmë dhe pastaj të tregohemi të aftë në mbrojtje”, tha trajneri.
“Ndoshta një avantazh më shumë për ne është se nuk kemi udhëtuar para kësaj ndeshjeje”, deklaroi trajneri i Krasnodar. Ndërkaq, mbrojtësi Vitali Kaleshin deklaroi se ndeshja e parë do të kishte shumë rëndësi për kualifikimin e mëtejshëm. “Ne respektojmë çdo kundërshtar, ndaj nuk ka mendjemadhësi para kësaj ndeshjeje. Unë nuk kam preferenca për rezultatin, për sa kohë që arrijmë në fazën në grupe të turneut. /PanoramaSport