Tragjedi në NBA. Basketbollisti 23-vjeçar i skuadrës së New Orleans, Bryce DejeanJones, është vrarë mbrëmjen e djeshme me pistoletë, teksa ndodhej në Dallas. Sipas policisë, lojtari e Pelicans ndodhej në Teksas për të festuar 1-vjetorin e vajzës së tij dhe po kthehej nga një shëtitje me familjen.
Bashkëshortja dhe vajza u ngjitën më shpejt në apartament, ndërsa Jones u ngjit pas tyre, por duke qenë se nuk e dinte apartamentin ngatërroi katin. Në vend që të ngjitej në katin e katërt ai trokiti një kat më poshtë, në të tretin.
Policia e Dallasit tregoi se një person ka marrë në telefon, duke thënë se një person kërkonte të hynte me çdo kusht në apartamentin e tij teksa po flinte, duke i rënë me shkelma derës.
Më pas, personi ka marrë në dorë një pistoletë dhe ka qëlluar personin që ka hyrë me forcë në apartamentin e tij, pasi shkallmoi derën. Pasi u qëllua, DejeanJones ra nga veranda e apartamentit ku kishte hyrë dhe ndërroi jetë në spital, pasi u transportua me ugjencë nga një autoambulancë që mbërriti pas disa minutash në vendngjarje.
Për DejeanJones ky ishte sezoni i tij i parë në NBA. Ai mbërriti te skuadra e New Orleans në janar të këtij viti, me një kontratë 10 ditore, ku dhe bindi drejtuesit e ekipit për ta mbajtur. Madje Pelicans i ofruan një kontratë 3 vjeçare. Por në shkurt ai u dëmtua, duke luajtur vetëm 11 ndeshje, ku pati një mesatare prej 5.4 pikësh e 3.4 rebaund për ndeshje. Por ngjarja ka tronditur shumë ambientin e NBA-së, ndërkohë që nuk kanë munguar mesazhet e ngushëllimit në adresë të familjes nga ana e skuadrës dhe NBA-së.