Prokuroria e Burrelit ka sekuestruar telefonat e dy adoleshentëve Kenado Shira dhe Renato Hasula, që u përfshinë në një konflikt me bashkëmoshataren e tyre, duke sjellë dhe tragjedinë e rendë me 3 të vrarë në Klos.
Po ashtu mësohet se nga telefonat e të rinjve janë fshirë mesazhet që thuhet se kishte shantazhe e kërcënime ndaj të miturës.
Ndërkohë pritet që telefonat t’i nënshtrohen ekspertimit në laboratorin e policisë shkencore për të rikuperuar mesazhet që janë fshirë.
Ngacmimet dhe shantazhet e vazhdueshme, në rrjetet sociale që dy të rinjtë Kenado Shira, 17 vjeç, dhe Renato Hasula, po 17 vjeç, (kushërinj) kanë bërë kundrejt vajzës së Fiqiri Mjeshtrit, bënë që ky i fundit të qëllojë disa herë me pistoletë në rrugën kryesore të qytetit, duke lënë të vdekur në vend 17-vjeçarin Kenado Shira, ndërsa babai i tij, Liri Shira ndërroi jetë rrugës për në spital. Pas krimit autori, Fiqiri Mjeshtri u gjet i vetëvrarë në shtëpinë e tij në fshatin Dars.