Ish-efektivja e Policisë së Burgjeve, Denisa Halilaj, e arrestuar një ditë më parë nga Policia e Tiranës me grupin prej 4 personash që sillnin armë nga Malësia e Madhe për t’i shitur pranë grupeve kriminale në kryeqytet, ka mohuar para hetuesve të ketë pasur dijeni se në makinën e dytë BMW ka pasur kallashnikovë dhe pushkë.
Sipas tvklan, mësohet se 22-vjeçarja u ka treguar hetuesve se grupi i djemve i kishin thënë se do të shkonin në Tiranë për të shoqëruar disa persona dhe nuk i është thënë se do të shisnin arsenal armësh.
Në deklarimet e 22-vjeçares, ka pohuar lidhjen me automjetin tjetër dhe si sipas saj përgjatë gjithë itinerarit ka kryer rolin e vëzhgueses dhe hapjes së rrugës, me qëllim mbërritjen pa probleme në Tiranë.
Ndërkohë, 4 të rinjtë e tjerë të arrestuar, Denis Hasaj, Marjan Hasaj, Redi Nika dhe Sabian Hasaj, kanë kyçur gojën para hetuesve, duke mos treguar asnjë detaj për shitjen e armëve, përfshirë këtu edhe emrat e personave ku do të shiteshin në Tiranë.
Grupi hetimor është duke kqyrur në mënyrë të detajuar celularët e tyre për të zbardhur prova të tjera për veprimtarinë kriminale.
Armët e sekuestruara rezultojnë të jenë të vitit 1997, të magazinuara që në atë kohë, por janë aktive dhe në përdorim.
Të rinjtë kanë mohuar gjithashtu të tregojnë edhe ku i kanë marrë këto armë dhe kujt i përkasin.