Ariu Tomi, i cili u publikua nga “Daily Mail” se po keqtrajtohej në Shqipëri do të strehohet përkohësisht pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë. Ministria e Mjedisit e ka marrë ariun Tomi në Ulëz, për ta transportuar më vonë drejt Prishtinës, ku ka ambiente të përshtatshme.
“Nga informacionet që kemi janë deri në 50 arinj. Ministria e Mjedisit, nëpërmjet nënstrukturave të saj, Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, po punojnë në këtë drejtim. Fillimisht i konfiskuam këto arinj, do t’i matrikullojmë dhe më pas do t’i dërgojmë si zgjidhje afatshkurtër jashtë vendit. Ne kemi pasur eksperienca deri tani jo vetëm me dërgimin e arinjve në Kosovë, por gjithashtu edhe në vende të tjera pranë nesh si Italia, Greqia, por edhe më tutje në Gjermani”, tha Kledi Xhaxhiu, zv.ministër i Mjedisit.
Përveç ariut Tomi është kryer vaksinimi dhe vendosja e mikroçipeve edhe për dy arinj të tjerë në robëri, në Bulqizë dhe Fier. Pas përfundimit të dokumentacionit të nevojshëm në një periudhë të shkurtër do të realizohet transferimi i të 3 arinjve në strehimoren “Pylli i arinjve” në Prishtinë, ku do të qëndrojnë përgjithmonë./TCH