Një 41-vjeçare ka rënë në prangat e policisë pasi përfitonte shuma parash nga qytetarët duke u prezantuar si dietologe.
Sipas policisë, 41-vjeçarja me inicialet S.B, banuese në Tiranë administronte një subjekt në zonën e Brrylit, të cilin nuk e kishte të regjistruar pranë organeve përkatëse dhe fshihte të ardhurat e fituara prej tij.
Mësohet se, 41-vjeçarja, e cila prezantohej si dietologe dhe me anë të mashtrimit përfitonte shuma të ndryshme parash, nga 150-300 euro, nga qytetarë të ndryshëm, për përgatitjen e dietave të personalizuara.
Ndërkohë, gjatë ndërhyrjes së uniformave blu, gruaja ka fshirë nga telefoni i saj, bisedat me qytetarët, me qëllim për të penguar zbulimin e së vërtetës.
41-vjeçarja akuzohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sakaq, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Opinion.al