Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, në kuadër të një operacioni të koduar “Packed”, ndërsa në çantë u janë gjetur 750 gramë kokainë. Policia bën me dije se të arrestuarit në flagrancë, të moshës 59 dhe 63 vjeç, janë banues në Tiranë dhe kryenin aktivitetin e tyre në zonën e Selvisë dhe tek Xhamlliku. Policia ka sekuestruar edhe 3 aparate celulare.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduara “Packed”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A. (M). B., 59 vjeç, dhe I. R., 63 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Në rrugën “5 Maji”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit A. (M). B. dhe I. R. Gjatë kontrollit të çantës së paketimit që mbante me vete shtetasi I. R., iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë rreth 750 gramë.
Nga verifikimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndën narkotike kokainë, e ndanin atë në doza, të cilat i shisnin më pas në rrugën “5 Maji”, në zonën e quajtur “Xhamlliku” dhe në zonën e Selvisë, në Tiranë”, njoftoi policia./Opinion.al