Nga Albatros Rexhaj
Përmbledhje e eventeve kryesore në klubet e Tiranës gjatë fundjavës së katërt të Tetorit.
Parashikuesit e motit nuk dolën edhe aq të saktë për fundjavën që lamë pas. Moti ishte goxha i mirë (padyshim i përshtatshëm për duhanpirësit që si grerëzat mblidhen para dyerve të klubeve të natës), por edhe më e mirë ishte atmosfera në klubet e metropolit. Pikat kulmore të së premtes mbrëma ishin Tingulli i Trentë te Moscow Club, Noizy te Folie dhe një event shumë simpatik me Vesa Smolicën te You Me and Bukowski, ndërkaq të shtunën Tiri te Garage Pub, Jazz Night te Padam, Aleksandër Gjoka te Rockstock dhe një super mbrëmje me Orhidea Latifin te Magic 4 Tabu.
Zhurmërimi i metropolit
Zhurma e këndshme metropolitane – që sikur donte t’i shkundte nga vendi të gjithë ata që shkojnë në klube dhe rrinë në vend (marrin poza), thuajse janë në një paradë statujash dhe jo në një ambient qejfi – zhurmoi në të gjitha klubet e Tiranës, duke e kthyer Tiranën, së paku gjatë fundjavës, në një Berlin të vogël – sipas CNN kryeqytetin evropian për jetë nate. Jam shumë i sigurt, kjo zhurmë simpatike do të befasonte këndshëm secilin vizitor që nuk e njeh Tiranën. Gjallërimi i madh që buthton në Tiranë gjatë fundjavave (për mua) është dëshmia më e mirë për atë që mund ta cilësojmë si “menaxhim i suksesshëm i produkteve kulturore”. Klubet e natës janë kthyer në mini institucione kulturore, ku kultivohet si muzikë për shije të masave, por edhe muzikë e mirë dhe e zgjedhur, ndërkaq menaxherët, me dashje apo pa dashje, janë duke zbatuar në praktikë shumë nga ato gjëra që mësohen në kurset akademike ku ligjërohet për menaxhimin e artit, si një domosdoshmëri e kohës së re. Në vlerësimin tim, hë për hë, menaxherët e Folie po tregohen si më të suksesshmit në organizmin dhe promovimin e programit të tyre.
Babastars versus OTR
Ka një gjë të bukur në “konfliktin” artistik mes Baba Stars dhe OTR, dhe kjo është muzika e mirë dhe performancat e bukura që ata japin. Dhe kjo gjë doli në pah edhe të premten mbrëma ku adhuruesit e të dy grupeve u mblodhën në (mbase) dy klubet më të mëdha të Tiranës. Dhe që të dyja ishin plot e përplot. Geti dhe Amiga kanë aq shumë kohë (së bashku) në skenë saqë ndonjëherë ma krijojnë përshtypjen se janë kthyer në binjakë siamezë që njëri-tjetrin e plotësojnë me nota, tinguj e lëvizje. E duan muzikën, edhe më shumë e duan publikun, por (në skenë) edhe më shumë e duan njëri-tjetrin, prandaj, pavarësisht motivit të cilit i këndojnë, performanca e tyre shkon shumë smooth. Ashtu siç shkoi edhe në Moscow Club.
Akoma e kam të vështirë që ta përcaktoj drejt raportin intim që Noizy ka me muzikën, por, një gjë është e sigurt, është krejtësisht i ndryshëm nga ai që kanë anëtarët e grupit BabaStars. Për Noizyn muzika është një instrument emocional për të treguar përplasjet e brendshme shpirtërore që ai ka. Noizy këndon sepse përpiqet të tregojë diçka për veten, edhe pse mesazhin e tij, për aq sa kemi parë deri tani, ai akoma nuk ndihet tërësisht komod që ta zbulojë tërësisht. Dhe, për mua, ky detaj e bën atë ndër përfaqësuesit e paktë të Hip Hopit shqiptar që ka diçka nga shpirti rebel i rrymës së hip hopit amerikan të viteve 90-ë. Shumë nga reperët e tjerë shqiptarë përpiqen që vetes t’ia mveshin disa nga tiparet e kësaj rryme, por Noizy këtë e ka të natyrshme, sepse (artistikisht) ai është rritur nga asgjëja dhe është ngritur nën taktet e vërteta të ritmit të rrugës. Kjo vërtetësi e tija është aduti më i fuqishëm artistik që Noizy ka dhe kjo gjë doli në pah edhe të premten mbrëma te Folie, ku, së paku për pak kohë, arena e Folie u kthye në një mini Gangsters Paradise.
Sidoqoftë, së paku për mua, “duelin” mes BabaStars dhe OTR e fitoi një palë krejtësisht e tretë dhe kjo është Orhidea Latifi – Kida me atmosferën goxha simpatike që ajo krijoi te Magic 4 Tabu. Pa e parë dhe pa e dëgjuar nga afër, pakkush mund ta kuptojë pse kjo vajzë e re pandalshëm është në trajektoren e ngjitjes.
Jazz Night me pak aromë Lisbone
Ata që kanë vizituar Lisbonën e njohin Hot Clube de Portugal, një nga klubet më të mira të Jazzit në Evropë, ndërkaq, të shtunën mbrëma, diçka nga fryma e këtij klubi ikonë kanë mundur ta gjejnë te Padam, ku performoi Keli Band dhe Vikena Kamenica. Ajo që më pëlqen te Vikena (përndryshe mexosopranoja e Teatrit të Operas dhe Baletit) dhe që e ndjeva tërësisht, derisa e dëgjoja nga afër te Padam, është se kjo artiste këndon me pasionin e njëjtë, si në skenën e vogël të klubeve të natës, ashtu edhe në skenën e madhe të operas. Kjo është arsyeja që sa herë që e dëgjoj nga afër Vikenën, gjithnjë kam përshtypjen se po e dëgjoj për herë të parë, ndërkaq me performancën e saj LIVE më përkujton Melody Gardot. Për mua nuk ka asnjë dilemë, kushdo që ka kohë dhe pak mundësi, duhet që së paku njëherë të shkojë te Padam dhe ta dëgjojë Vikenën nga afër. Gjithsesi – dhe kjo gjë do thënë me plot gojë – shumëçka nga magjia e së shtunës mbrëma nuk do të vinte e plotë sikur Vikena të mos ishte mbështetur nga Keli Bend. Një Big Up për çunat e Keli Bend që në Tiranë performojnë me shpirt njujorkez të muzikës.
Fryma e Wha në mes të Tiranës
Në Garage Pub, Tiri dëshmoi se jo rastësisht ishte fitues i edicionit të pestë të Voice of Albania, por kam përshtypjen se akoma vlejnë shumë nga sugjerimet që i janë bërë te Voice 5. Padyshim, Tiri këndon shumë bukur, por ka nevojë që të jetë më i gjallë në skenë. Ideja e të kënduarit në klube është pikërisht ngjizja e emocionit personal të këngëtarit me atë të publikut. Pak më shumë interpretim, do t’i jepte më shumë ngjyrë të gjithë mbrëmjes, por, të mos ketë asnjë dyshim, Tiri ka të gjitha premisat që të bëhet një këngëtar i madh. Sa i përket eventit, atë që Tiri e la në mungesë, e plotësoi vetë ambienti i Garage Pub si dhe dëshira e njerëzve për të bërë qejf.
Të shtunën mbrëma, Garage Pub (edhe njëherë) më përkujtoi Caffe Wha-në e famshme të Nju Jorkut, ku kaluan pothuajse të gjithë më të mirët e muzikës dhe që, përkundër famës e suksesit, ky klub nuk e ndryshoi frymën e vet të veçantë. Shijet janë subjektive, por për mua Garage Pub përbën bërthamën e këtij shpirti në metropolin tonë. Një vend që shumë lehtë mund të kthehet në një stacion urban për të zbuluar emrat e rinj të muzikës dhe për të rikonfirmuar emrat tashmë të formuar. Por edhe një vend simpatik për ata që nuk duan të dëgjojnë muzikë dhe as të kërcejnë, por që preferojnë kuvendimin në një ambient ndryshe.
Diçka edhe më e bukur po vjen
Fundjava që po vjen do të jetë shumë interesante. Për herë të parë pas sherrit në Prishtinë, Cozman dhe Skivi do të zbarkojnë në Magic 4 Tabu, për diçka që pritet të jetë një natë e paharrueshme. Dj Blunt dhe Real 1 do të jenë te Folie, Greta Koçi do të jetë te Amsterdam Club, Dj Sardy do të jetë te Lollipop, ndërkaq adhuruesit e mbrëmjeve më intime do të mund ta gjejnë veten te You Me and Bukowski për një mbrëmje unplugged me Lori dhe Anxhel Miho, Kamela Islamaj, Latino Band dhe Vikena Kamenica do të jenë te Padam, ndërkaq Alt’n beats b2b Teelco do të jetë te Garage Pub. Por, pos këtyre që i përmenda, ka edhe mjaft evente të tjera kudo nëpër metropol.
Kësaj here as që jam lodhur të shoh se çfarë thonë parashikuesit e motit për këtë fundjavë në Tiranë. Kujt po i plas nëse do të bjerë shi apo do të jetë ftohtë! Gjatë fundjavës, metropoli ynë prodhon mikroklimën e vet.
For sure, yet another joyride!
(Ky reflektim është krejtësisht personal)