Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, iu bëri thirrje qeverive në mbarë botën, që të testojnë sa më shumë njerëz për të kuptuar nëse janë të infektuar me koronavirusin e ri.
Ai njoftoi se OBSH ka dërguar 1.5 milion teste në 120 vende, por paralajmëroi se bota nuk kishte kryer mjaftueshëm testime, duke e quajtur këtë “shtyllën kurrizore të ndalimit të përhapjes” së pandemisë.
Ghebreyesus, këshilloi vendet që të testojnë çdo rast të dyshuar të koronavirusit, dhe më pas të izolojnë rastet pozitive.
“Çdokush që është në kontakt me pacientët dy ditë para se të shfaqte simptoma, gjithashtu duhet të testohet”, u shpreh ai.
Në mungesë të ambienteve spitalore për raste të lehta, pacientët mund të kujdesen në shtëpi por nuk duhet të ndajnë një shtrat ose një banjë me anëtarët e familjes të pa infektuar.
OBSH theksoi që dhe pse personat mbi 60 vjeç janë më të rrezikuar, nga Covid-19 kanë humbur jetën dhe fëmijë./Opinion.al