Kryeministrja britanike, Theresa May, pritet të japë sot dorëheqjen nga posti i udhëheqëses së Partisë Konservatore, ndërsa do të mbetet kryeministre teknike derisa të zgjidhet pasardhësi i saj.
Njëmbëdhjetë ligjvënës do të garojnë për kreun e konservatorëve, partisë në pushtet, ndërsa procesi i përzgjedhjes do të nisë më 10 qershor.
62-vjeçarja ka paralajmëruar dorëheqjen muajin e kaluar, pasi Parlamenti i refuzoi tri herë marrëveshjen që ka negociuar me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë nga blloku, apo Brexit-in.
May pritet të konfirmojë dorëheqjen në një letër dërguar Komitetit të Konservatorëve, ndërsa ish-sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, mbështetës i zëshëm i Brexit-it, është favorit për të pasuar kryeministren May.
Kujtojmë se afati i ri për Brexit është 31 tetori, pasi në prill, BE-ja i ka dhënë Britanisë edhe gjashtë muaj kohë për të dalë nga blloku, me shpresën se ligjvënësit do të pajtohen për një marrëveshje./Opinion.al